Organizata më e madhe kriminale në Japoni, Yamaguchi-gumi, ka shpallur zyrtarisht fundin e konfliktit të gjatë me një fraksion rival, duke premtuar se nuk do të shkaktojë më “telashe”, njoftuan autoritetet japoneze. Kjo deklaratë vjen në një kohë kur grupet mafioze po përballen me rënie të ndjeshme të anëtarësisë dhe rritje të presionit policor.
Tre anëtarë të lartë të Yamaguchi-gumi dorëzuan një letër në selinë e policisë në prefekturën Hyogo, ku premtonin përfundimin e çdo lloj përleshjeje të brendshme dhe angazhimin për të shmangur përfshirjen në veprimtari të dhunshme. Që prej vitit 2015, kur disa fraksione u shkëputën për të formuar grupin rival Kobe Yamaguchi-gumi, konfliktet midis tyre kanë sjellë dhjetëra viktima në rrugët e qyteteve në Japoninë perëndimore dhe qendrore.
Për shkak të përshkallëzimit të dhunës, autoritetet kanë ashpërsuar masat ndaj këtyre organizatave. Që nga viti 2020, të dy grupet janë klasifikuar si “në luftë”, duke i dhënë policisë kompetenca të zgjeruara për ndalim, mbikëqyrje dhe kufizime financiare.
Megjithëse Yamaguchi-gumi ka shpallur paqe, mbetet e paqartë nëse Kobe Yamaguchi-gumi do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj nisme. Policia deklaroi se do të vazhdojë të monitorojë nga afër të dy grupet.
Ndërkohë, numri i përgjithshëm i anëtarëve të yakuza-s ka rënë në më pak se 20 000 për herë të parë, me vetëm 3300 aktivë në Yamaguchi-gumi dhe rreth 120 në Kobe Yamaguchi-gumi. Por autoritetet përballen tani me një fenomen të ri: “Tokuryu” – banda të pavarura, pa lidhje me Yakuza-n tradicionale, të cilat janë përfshirë në vjedhje të dhunshme dhe mashtrime në rrjetet sociale.
Çfarë është Yakuza?
Yakuza është një organizatë kriminale japoneze me rrënjë që datojnë që nga periudha Edo (1603–1868), e formuar fillimisht nga tregtarë ambulantë dhe lojtarë bixhozi. Me kalimin e kohës, këto grupe u strukturuar në organizata të ngjashme me mafian, duke ndjekur një kod nderi dhe besnikërie të ngjashëm me atë të samurajëve. Në shekullin XX, yakuza u zgjerua ndjeshëm dhe u përfshi në veprimtari të shumta ilegale, si zhvatja, trafikimi, prostitucioni dhe më vonë edhe krimet financiare.
Megjithatë, ndryshe nga shumë organizata kriminale, yakuza operonte shpesh hapur, me zyra publike dhe madje edhe pjesëmarrje në ndihma humanitare gjatë krizave. Autoritetet japoneze kanë ndërmarrë masa të rrepta kundër tyre në dekadat e fundit, duke çuar në rënie të ndjeshme të numrit të anëtarëve. Sot, ndikimi i yakuza ka rënë ndjeshëm, por grupet mbeten ende aktive në disa fusha./k.k