Zgjedhje për opozitën

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Blendi Kajsiu

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit të 2025 janë të parat në historinë tonë demokratike që nuk zhvillohen për të zgjedhur pushtetin por opozitën. Asnjëherë në historinë tonë demokratike nuk ka qenë kaq i qartë fati elektoral i forcës në pushtet dhe kaq i paqartë fati i opozitës.

Edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 1997, kur Partia Demokratike kish marrë rrokullimën, fitorja e Partisë Socialiste nuk ishte kaq e parashikueshme sa sot. Ndërkohë në të gjitha zgjedhjet e mëparëshme, duke përfshirë edhe vitin 1997, ka qenë e qartë se opozita do ishte një nga dy forcat kryesore, PS ose PD. Për herë të parë kemi të qartë se si do jetë pushteti, por jo opozita, pas zgjedhjeve.

Dy janë shkaqet e një situate të tillë. Së pari, zhgënjimi i elektoratit me opozitën tradicionale është shumë më i madh se me pushtetin aktual. Së dyti, për herë të parë në historinë tonë demokratike fragmentizimi i PD-së dhe dalja e forcave të reja politike po minon bipolaritetin tonë politik PS-PD.

Sondazhi i fundit i Euronews (mars 2025) na tregon se pëlqyeshmëria neto për kryesocialistin Edi Rama (ata që kanë mendim pozitiv minus ata që kanë mendin negativ) është gati + 5%. Ndërkohë pëlqyeshmëria neto për liderin kryesor të opozitës Sali Berisha është – 38%. Pra shumica dërrmuese e elektoratit ka një mendim negativ për liderin e opozitës. (shiko ketu). Akoma më e rëndë është situata për udhëheqësit e tjerë tradicional të opozitës si Ilir Meta apo Lulëzim Basha, me pëlqyeshmëri neto – 82% dhe – 75%, respektivisht.

Janë shifra katastrofale, sidomos po të kemi parasysh se shumica dërrmuese e votuesve ka një mendim të konsoliduar për këta liderë. Vetëm 5% në rastin e Berishës, 5% në rastin e Metës dhe 8% në rastin e Bashës ende nuk kanë formuar një opinion të qartë mbi ta.

Kjo do të thotë se potenciali për përmirësimin e imazhit politik, apo të pëlqyeshmërisë, për Berishën, Metën dhe Bashën, është tejet i vogël pasi shumica dërrmuese e elektoratit e ka ndarë mendjen për ta. Në rastin e Berishës, për shembull, edhe sikur 5% e votuesvee të pavendosur të krijonin mendim pozitiv për të, pëlqyeshmëria neto e tij do shkonte nga -38% në -35%.

Ndërkohë probabiliteti që elektorati të ndërrojë opinion për opozitën tradicionale është në proporcion të zhdrejtë me nivelin e lartë të njohjes që ajo gëzon në elektorat. E thënë më shkoqur, fakti që elektorati e njeh mirë Berishën, Metën apo Bashën e bën më të vështirë ndryshimin e opinionit të tij rreth tyre.

Lexo edhe :  Si u kthye Berisha në një Dule dhe PD në një PBDNJ

Ndaj nuk është aspak çudi që sondazhet tregojnë se shanset e opozitës tradicionale për ta përmbysur pushtetin socialist janë minimale. Në këtë front nuk ka asnjë risi politike.

Risia qëndron tek partitë e reja opozitare të cilat, nëse i besojmë sondazheve, janë më pranë marrjes së opozitës se sa pranë marrjes së pushtetit. Niveli i pëlqyeshmërisë të liderëve të rinj opozitar është një nga treguesit kryesor të këtij fenomeni. Natyrisht pëlqyeshmëria dhe mbështetja elektorale nuk janë identike, por janë të lidhura ngushtë.

Sipas sondazhit të fundit të Euronews pëlqyeshmëria neto e Adriatik Lapaj është pozitive, + 3%. Pëlqyeshmëria neto e Agron Shehaj dhe e Arlind Qorit është – 7.5% dhe – 1.5.6%, respektivisht. Ndonëse këto nuk janë nivele ideale janë mjaft superiore krahasuar me pëlqyeshmërinë neto thellësisht negative që kanë liderët e opozitës tradicionale, që në rastin më të mirë arrin tek -38% (me Berishën).

Ndërkohë potenciali që kanë liderët e rinj të opozitës për të përmirësuar nivelin e pëlqyeshmërisë është shumë më i lartë se në rastin e liderëve opozitar tradicional.  Përqindja e të intervistuarve që ende nuk kanë krijuar një opinion mbi Lapaj, Shehaj dhe Qorin, është 34%, 30% dhe 41%, respektivisht. E thënë ndryshe të tre këta lider kanë mundësinë të rrisin ndjeshëm pëlqyeshmërinë bruto dhe të arrijnë një pëlqyeshmëri neto pozitive.

Të dhënat e mësipërme tregojnë se shanset e opozitës së re për të zëvendësuar PS-në janë ende të ulta, ndërkohë që mundësia që kjo opozitë e re të zëvendësojë gradualisht opozitën tradicionalë është reale. Asnjë nga liderët e opoztës së re nuk ka një pëlqyeshmëri bruto apo neto më të mirë se Rama, ndërkohë të gjithë kanë nivele pëlqyeshmërie neto (dhe në disa raste edhe bruto) shumë më të mira se Berisha, Meta apo Basha, cka gradualisht mund të përkthehen në mbështetje elektorale tek votuesi opozitar.

Ndaj gara elektorale e 11 majit është e para në historinë tonë demokratike që më shumë se për të zgjedhur pushtetin bëhet për të zgjedhur opozitën. Në vend të pyetjes “Si do jetë pushtetit i nesërm?” zgjedhjet e 11 majit do i përgjigjen pyetjes “Si do jetë opozita nesër?”.

Të shumtë janë ata që shpresojnë se këto zgjedhje do prodhojnë një opozitë të re dhe më të besueshme se opozita e vjetëruar berishiste përballë një pushteti socialist që gjithnjë e më tepër po e gërryen demokracinë tonë. Ata që janë të pakënaqur dhe duan të ndryshojnë pushtetin socialist nesër duhet të votojnë për një opozitë ndryshe sot./ Lapsi.al

Të fundit

Historike, një shqiptar në krye të Federatës Evropiane të Peshëngritjes

Astrit Hasani është zgjedhur president i Federatës Evropiane të Peshëngritjes (EWF) në kongresin zgjedhor të EWF të mbajtur në...

Idrizi reagon për shuplakën që iu dha Gjestit në “Big Brother VIP Albania”

Pas përplasjes fizike në “Big Brother VIP Albania”, ku Jozi goditi me shuplakë Gjestin – një situatë që u përfol gjerësisht në rrjet si...

E Diela e Larit, historia dhe traditat e një kremteje

Në kalendarin liturgjik të Kishës katolike e Diela e Larit festohet një të diel para kremtimit të Pashkëve të Jezu Krishtit. Me të nis...

Spanjë/ Shirat e rrëmbyer shkaktojnë përmbytje në Lanzarote

Qindra shtëpi dhe rrugë në Lanzarote janë përmbytur, pas reshjeve të rrëmbyeshme që përfshiu ishullin Kanarie të shtunën. Qeveria e Lanzarote shpalli gjendjen e...

Jetëgjatësia varet nga mendimet tuaja, ja ç’thotë studimi

Hulumtimet e fundit kanë treguar se mentaliteti ynë dhe kujtimet pozitive nga fëmijëria mund të luajnë një rol të rëndësishëm në jetëgjatësisë dhe shëndetin...

Lajme të tjera

Web TV