Lideri demokrat Sali Berisha ka njoftuar paraditen e kësaj të shtune demokratët që të mblidhen në orën 17:00 në Pallatin e Kongreseve, sepse atje do të shpaloset programi i Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 Majit.
“Të dashur miq, sot ora 17:00 në Pallatin e Kongreseve shpalosim programin e Partisë Demokratike për Shqipërinë Madhështore në Kuvendin Kombëtar”, shkruan Sali Berisha.
Një ditë më parë, koalicioni i drejtuar prej tij dhe i quajtur Aleanca për Shqipërinë Madhështore, çeli zyrtarisht fushatën në sheshin “Nënë Tereza” duke mbledhur qindra simpatizantë nga gjithë Shqipëria që udhëtuan pasditen me makina drejt Tiranës.
Në ceremoninë e hapjes së fushatës elektorale, Sali Berisha premtoi se nëse do të jetë në pushtet, do të vendosë taksat më të ulëta në Europë dhe botë, për të mundësuar begatimin e shqiptarëve. Ai kritikoi qeverinë aktuale dhe theksoi se Shqipëria e pasur është nën shfrytëzimin e Edi Ramës dhe oligarkëve të tij.
Kryetari i PD-së theksoi se projekti i tij është për një Shqipëri të bukur dhe madhështore, një vend ku pasuritë natyrore do të shfrytëzohen për përfitimin e shqiptarëve. Ai përfundoi fjalimin duke u angazhuar për ndihmën e atyre që përjetojnë vështirësi ekonomike dhe premtuar mbështetje për pensionistët, studentët dhe të papunët.