Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka reaguar ashpër ndaj një fushate denigruese ndaj tij në rrjetin social TikTok, ku janë shpërndarë video të manipuluara me përmbajtje ofenduese dhe fyese.
I ftuar në një emision televiziv, Ndreu deklaroi se videot ishin montazhe të rreme në të cilat ai shfaqej në skena të pavërteta, përfshirë figura të njohura publike dhe qytetare nga Lezha:
“Ishin video montazh ku unë shfaqesha sikur puthesha me Namik Doklen e disa të tjerë. Kishin përfshirë edhe gra nga Lezha. E kisha identifikuar këtë faqe në TikTok prej një viti. Pas denoncimit në polici, ajo u mbyll.”
Ndreu ngriti dyshime për prapavijë politike, duke aluduar se sulmi mund të jetë pjesë e një skeme për ta dëmtuar politikisht në prag të zhvillimeve të rëndësishme:
“Jam i sigurt që jam në dy versione, A dhe B. Njëri është për arsye politike, tjetri jo. Jemi në fazë dyshimesh, por ndonjëherë nuk më ka gënjyer intuita.”
Ai bëri të ditur se ka angazhuar miqtë e tij për të identifikuar autorët e kësaj fushate, ndërsa shprehu shqetësim për gjuhën e përdorur dhe mungesën e etikës:
“Niveli i përmbajtjes është i ulët, jashtë çdo standardi njerëzor dhe moral.”/e.t