Reperi Rigels Rajku u shfaq sot në ahengun e Edi Ramës në sheshin “Skenderbej”. Këngëtari nuk ka më turp ta pranojë se Rama e përdor si zar sa herë ka nevojë, pasi e merr të performojë në Athinë, Romë dhe aktivitete të tjera politike.
Deri dje Noizy ishte fansi i zjarrtë i Erion Veliajt, por tani që Babloku e harroi në qeli, duket se dhe këngëtari e ka ndërruar pllakën. Pas performancës në shesh, ai ka bërë një postim në rrjetet sociale ku i kreh bishtin Ramës.
“Shiko, po e them një herë e mirë se çfarë mendoj dhe besoj. Familja ime dikur ishte me PD. Mirëpo unë personalisht kam kujtime dhe eksperienca jo të këndshme nga ajo periudhë, më kujton një rrëmujë, një errësirë, e as nuk dua ta imagjinoj të jetoj asnjë ditë si ajo kohë.
Me të thënë të drejtën, unë as nuk i njoh programet e partive. Sepse për mua, kushdo ta fitojë, unë prap i njëjti jam dhe i njëjti do mbetem: ai që fle i fundit dhe zgjohet i pari, ai që fle më pak se 5 orë gjumë gati çdo ditë, ai që shkon në punë pa orar, për të arritur atje ku asnjë artist ‘rap’ shqiptar s’ka arritur kurrë.
Unë shoh individët, kush drejton cilën parti dhe kush janë ministrat e deputetët e secilës parti. Dhe, a mund t’u besoj unë këtyre individëve t’u jap votën time për vitet e ardhshme? Deri tani, me të thënë të drejtën, s’ma mbush syrin askush përveç Ramës.
Këta dy të rinjtë që dolën në protestë përballë bashkisë, ja nisën duke u kapur me grushta mes vete, nuk u habita, të them të drejtën. E sa i përket këtyre të tjerëve, as që bëhet fjalë. Sepse unë dua ndryshim, por ndryshimi s’ka kuptim nëse s’ka përmirësim”, shkruan Noizy.