Që nga viti 2000, kreu aktual i qeverisë Edi Rama, është përballur me 11 sfida, përsonale si kryebashkiak, por edhe si drejtues i PS-së duke fituar 9 dhe humbur dy, në vitin 2009 si kryetar i PS-së përballë Berishës dhe në vitin 2011 si kryebashkiak përballë Bashës. Në ligjërimet e fundit politike përgjatë fushatës, Rama e konsideroi 11 majin si “qamet politik” me fitore të thellë të PS-së
Nga Kamza, kryeministri Edi Rama kërkoi zyrtarisht fitoren e tij të dhjetë, duke filluar numërimin nga viti 2000 kur për herë të parë u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës. Që prej asaj kohe, Rama ka fituar të gjitha betejat elektorale ku ka garuar, përveç zgjedhjeve vendore të vitit 2011, kur Partia Demokratike fitoi Bashkinë e Tiranës me Lulzim Bashën. Në një takim me të rinjtë, kryesocialisti theksoi se Partia Socialiste duhet ta fitojë me çdo kusht garën e 11 majit, duke kërkuar një rezultat të pashembullt dhe duke e krahasuar fitoren me “qametin politik” që, sipas tij, duhet të tronditë gjithë territorin. “Kamza ishte një rrufe që, siç e keni parasysh, del drita njëherë dhe pastaj del zhurma, e pastaj furtuna. Kamza doli e para, se kishte votim elektronik, edhe veçse kur pastaj erdhën bubullimat dhe pastaj erdhi breshëri dhe u bë qamet. Këtë herë qameti duhet të jetë dhe më i madh. E kemi fituar nëntë herë, duhet ta fitojmë për herë të dhjetë. Me notën 10-të,” tha Rama. Ai nuk i kurseu ironitë ndaj Sali Berishës dhe qeverisë së mëparshme, duke kujtuar deklaratat e tij për ekonominë shqiptare, e cila sipas Berishës renditej “e dyta pas Gjermanisë”. “…se ishim të dytët ne pas Gjermanisë, kur ishte bufi i kënetës. Atëherë patjetër që ishim shumë më lart, tani nuk jemi të dytët pas Gjermanisë,” tha Rama me ironi. Ndër temat kryesore që adresoi gjatë fjalës së tij ishte edhe projekti i integrimit europian të Shqipërisë. Rama e konsideroi pasaportën e BE-së jo thjesht një dokument udhëtimi, por një status të ri për çdo shqiptar, duke shpjeguar dallimin mes lirisë së lëvizjes dhe të drejtave të qytetarisë europiane. “Kini parasysh se BE nuk është vetëm pasaporta. Merr një status që asnjëherë shqiptarët nuk e kanë pasur. Nuk e kanë pasur prindërit, gjyshërit, as gjyshërit e gjyshërve. Me atë pasaportë, në Francë, Itali, Suedi, ke të njëjtat të drejta me bashkëmoshatarët e tu europianë. Sot jemi të huaj. Me pasaportën e BE-së jemi qytetarë të barabartë. Mund të studiosh, të punosh, të marrësh ndihmë mjekësore njësoj si çdo europian tjetër,” tha ai. Rama e lidh anëtarësimin në BE edhe me mbështetjen financiare që Shqipëria do të përfitojë, duke përmendur konkretisht programet për rininë dhe për start-up-et, si dhe ndihmat për kategoritë në nevojë. “Deri tani kemi marrë 1 miliard euro nga BE, 90% kredi. Tani do marrim 1 miliard euro në vit, pjesa më e madhe grant. Kjo është diçka jashtëzakonisht e rëndësishme,” u shpreh kryeministri. Drejt fundit të fjalës, ai u kthye me një batutë që synonte të motivonte të rinjtë për të bindur edhe partnerët e tyre për të votuar për Partinë Socialiste. “Të gjitha ato gocat që kanë të dashur me bindje të tjera, duhet t’i vini kusht: dëgjo, të dua qytetar europian, jo vetëm kamzali. Po si more, le të jetë i bukur e i zgjuar, por a rrihet me një çun që hidhet në kënetë më 11 maj? Ç’e do?! Se është çështje karakteri kjo!” Me këtë mesazh, Edi Rama mbylli një nga takimet e para elektorale në kuadër të zgjedhjeve vendore të 11 majit, duke e vendosur qartazi synimin për ta çuar Partinë Socialiste drejt fitores së dhjetë dhe për ta kthyer atë në simbol të qëndrueshmërisë dhe transformimit drejt BE-së.