Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka lëshuar një paralajmërim të qartë për të gjithë qytetarët në prag të zgjedhjeve të 11 majit, duke u ndalur me forcë te një nga çështjet më problematike të proceseve zgjedhore në vend: shitblerja e votës. Sipas tij, kushdo që përfshihet në veprime të tilla, duhet të jetë i vetëdijshëm për pasojat penale që mbart një akt i tillë.
“Do të thotë se kanë llogaritur edhe pasojat penale. Nëse një fenomen i tillë ndodh, ai shoqërohet me sanksione penale të rënda, deri në 3, 4 apo 5 vite burg”, deklaroi Celibashi gjatë një daljeje për mediat, ku fokusin kryesor e kishte siguria e votës për qytetarët shqiptarë që votojnë për herë të parë nga jashtë vendit. Ai theksoi se nga momenti kur fleta e votimit nis të qarkullojë përmes sistemit postar të kontraktuar nga KQZ, ajo hyn në një proces tërësisht të sigurt dhe të mbrojtur nga çdo ndërhyrje.
“Në momentin që fleta është në sistemin e DHL dhe KQZ, garantoj 100% ruajtjen e fshehtësisë. Kjo garantohet plotësisht nga ne”, tha Celibashi. Por paralelisht me garancitë teknike dhe procedurale, kreu i KQZ-së bëri edhe një apel të fortë etik dhe ligjor. Ai u kujtoi votuesve, brenda dhe jashtë vendit, se çdo tentativë për të treguar, shitur apo blerë votën përbën një vepër penale, që nuk do të tolerohet nga autoritetet.
Zgjedhjet e 11 majit do të shënojnë për herë të parë përfshirjen e diasporës në një proces votimi, dhe KQZ ka vënë në lëvizje të gjitha mekanizmat për të garantuar jo vetëm përfshirjen reale të emigrantëve në këtë proces, por edhe mbrojtjen e integritetit të votës së tyre. Ky paralajmërim vjen në një kohë kur organizatat monitoruese dhe raportet ndërkombëtare kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për fenomene si presioni mbi votuesit, abuzimi me administratën apo blerja e votës, veçanërisht në zona të caktuara. Mesazhi i Celibashit është i drejtpërdrejtë: institucionet do të jenë në gatishmëri për të ndëshkuar çdo përpjekje për manipulim të vullnetit qytetar.
Ai bëri thirrje për vetëdije dhe përgjegjësi, duke e cilësuar votën si një akt personal dhe të paprekshëm, që nuk mund të kthehet në mall tregu. “Nëse votuesit duan ta shesin, blejnë apo tregojnë votën, është çështje e tyre – por kjo do të thotë se kanë llogaritur edhe pasojat penale”, nënvizoi ai. Mesazhi i kreut të KQZ-së është një sinjal i qartë që synon të frenojë në kohë çdo përpjekje për deformimin e procesit zgjedhor, ndërsa vendi i afrohet një momenti të rëndësishëm për demokracinë dhe përfshirjen e diasporës në vendimmarrje.