Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani ka zhvilluar ditën e djeshme një takim me drejtuesen e Prokurorisë së Durrësit, Suela Beluli ku në fokus ka qenë strategjia e SPAK për krimet zgjedhore. Njëjtë siç ishte premtuar në strategjinë e Prokurorisë së Posaçme për krimet zgjedhore, 16 zyra të SPAK janë hapur nëpër qarqet e vendit.
Në takimin e mbajtur në ambientet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të lartë të DVP Durrës, prokurorë dhe oficerë të caktuar në Seksionin e Posaçëm të Përkohshëm Kundër Krimit Zgjedhor të Prokurorisë Durrës.
Dumani dha direktivat e tij gjatë takimit mbi mënyrën e veprimit në rast të shkeljeve gjatë fushatës zgjedhore. Në thelb u dakordësua rëndësia e reagimit të shpejtë, koordinimi efektiv dhe ndarja e informacionit ndërmjet institucioneve, me qëllim identifikimin dhe ndjekjen penale të çdo veprimi që cenon integritetin e votës së lirë të qytetarëve. Prokuroria e Durrës nga ana tjetër riafirmon angazhimin e saj për të bashkëpunuar ngushtësisht me të gjitha institucionet ligjzbatuese dhe për të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm ligjor për të mbrojtur të drejtën e votës dhe integritetin e procesit zgjedhor.
Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit, mes Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtuesit të SPAK, prokurorëve dhe hetuesve të SPAK, u është vënë në dispozicion një zyrë e posaçme në Prokurorinë e Durrësit. Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit që nga nisja e fushatës më 11 maj janë të pranishëm në terren dhe të gatshëm për të marrë çdo kallëzim apo informacion nga qytetarët në lidhje me veprimtari të dyshuara penale që lidhen me zgjedhjet.
Kjo “Task-Forcë”, e cila kryesohet nga kryeprokurori Altin Dumani do të jetë aktive për tre muaj, derë në fund të muajit maj. Ajo përbëhet nga një strukturë qendrore dhe grupet hetimore të shpërndara në terren gjatë periudhës zgjedhore, ku do të bëjnë pjesë prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, staf administrativ mbështetës në të 12 qarqet dhe 61 bashkitë.
Të gjitha këta prokurorë gjatë periudhës 3 mujore do marrin takime dhe zhvillojnë mbledhje me Drejtorin dhe strukturat policore të qarkut ku kanë emëruar si koordinatorë special. Qëllimi i takimeve, do jenë për ngritjen e një pune operative me qëllim evidentimin e rasteve, ku ka tendencë për blerjen e votës nga elementët e subjekteve politike.
Në kuadër të kësaj nisme vlen të theksohet se Durrësi ka qenë një qytet problematik gjatë fushatave zgjedhore, me grupe të ndryshme kriminale që janë përfshirë në mbështetje të individëve të caktuar dhe subjekteve të ndryshme politike, me qëllim shtrirjen e ndikimit të tyre deri në Kuvend.
Rasti më flagrant ishte ai i ish-deputeti socialist Jurgys Çyrbja i cili nga përgjimet e “SkyEcc” doli se kishte lidhje me grupet kriminale të Shijakut dhe ishte ndihmuar prej tyre gjatë fushatës elektorale kur ai u zgjodh deputet. Tani mbetet për tu parë se sa i guximshëm do të jetë SPAK-u për të ndalur ndikimin dhe interferimin e grupeve kriminale në zgjedhje./ S,M