Nga Prof. Dr. Fran Gjoka
Më 22 Prill, bota ndalet për një moment për të kujtuar një të vërtetë të thjeshtë, por jetike: pa Tokën, nuk ka jetë. Kjo ditë simbolike, që prej vitit 1970 ka shërbyer si një platformë globale për reflektim dhe veprim në mbrojtje të mjedisit. Këtë vit, ajo shënon 55-vjetorin e saj, duke mbledhur më shumë se një miliard njerëz në 192 vende për një qëllim të përbashkët: Një planet më i shëndetshëm, më i qëndrueshëm. Tema e këtij viti, “Fuqia Jonë, Planeti Ynë”, na kujton se ne jemi aktorë të drejtpërdrejtë dhe përgjegjës të ndryshimit. Por përveç krizës globale të klimës dhe ndotjes, Shqipëria përballet me një tjetër kërcënim të madh: urbanizimi pa kriter, i cili po rrezikon seriozisht zhdukjen e zonave periurbane, hapësirave që lidhin qytetin me fshatin dhe që janë themeli për një zhvillim të qëndrueshëm. Zona periurbane nuk është thjesht një hapësirë gjeografike në periferi të qyteteve. Ajo është një zonë tranzicioni me vlera të shumëfishta. Aty prodhohet një pjesë e madhe e ushqimeve të freskëta që mbushin tregjet tona. Aty ndodhen ekosisteme të dobishme që filtrojnë ujin dhe ajrin, ruajnë biodiversitetin dhe ndihmojnë në balancimin e mikroklimës urbane. Janë gjithashtu hapësira të gjelbra që u ofrojnë qytetarëve mundësi për rekreacion, sport dhe lidhje me natyrën. Fatkeqësisht, zhvillimet kaotike, ndërtimet pa leje, mungesa e një vizioni të qartë urbanistik dhe shfrytëzimi spekulativ i tokës po e zhbëjnë këtë zonë. Terrenet bujqësore kthehen në ndërtime, humbasin funksionin prodhues dhe ekologjik, duke sjellë pasoja të rënda afatgjata për jetesën në qytet. Tirana është shembulli më i qartë i këtij realiteti: një metropol që po gëlltit periferinë, duke i kthyer hapësirat bujqësore në beton. Humbja e zonave periurbane nuk është vetëm një çështje estetike apo planifikimi urban. Ajo prek sigurinë ushqimore të diskutueshme, cilësinë e ajrit dhe ujit, ekuilibrin ekologjik dhe jetesën e brezave të ardhshëm. Pa to, qytetet rrezikojnë të kthehen në ishuj të betonizuar pa lidhje me natyrën, që nuk prodhojnë ushqim dhe pa qëndrueshmëri. Mbrojtja e këtyre zonave kërkon veprim të menjëhershëm. Kjo kërkon implementimin e politikave të mençura, planifikim urban afatgjatë, rritje të ndërgjegjësimit publik dhe bashkëpunim ndërsektorial.
Njëkohësisht, është thelbësore të theksohet roli kyç i energjisë së rinovueshme, një shtyllë tjetër e zhvillimit të qëndrueshëm. Investimi në burime të pastra, si energjia diellore, eolike, hidro dhe bioenergjia, mund të realizohet, por pa rrezikuar tokat bujqësore, duke ulur ndotjen, duke zvogëluar varësinë nga burimet fosile dhe duke stimuluar një ekonomi të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Dita e Tokës ofron mundësinë për reflektim dhe për të pyetur: Çfarë bote po ndërtohet? Çfarë qytetesh po lihen pas? A është koha për të ndalur shkatërrimin para se të jetë vonë? Veprimi tani është i domosdoshëm – nesër mund të jetë vonë. Për Tokën, për jetën, për të ardhmen. Sepse: Planeti ynë është fuqia jonë.