Nga ARTUR AJAZI
Si gazetar, kam qysh nga Maji i 1996, që ndjek fushatat elektorale të dy partive të mëdha. Tranzicioni në Shqipëri ka qenë mjaft i gjatë, ashtu siç kanë qenë edhe ecejaket e pushtetit nga dy partitë e mëdha, të konturuara tashmë edhe në këtë fushatë elektorale, mes PS dhe PD. Pas gjithë atyre peripecive dhe sikleteve që hoqi Partia Demokratike qysh nga viti 2021, kur Sali Berisha u shpall “non-grata” nga SHBA, mendoja se momenti për ta treguar vehten sërish kjo forcë politike, dhe kryetari i saj i mezizgjedhur, ishte tani. Ishte fushata elektorale për zgjedhjet e 11 Majit 2025. Mendoja se me afrimin e kësaj fushate, do të shihja një PD ndryshe, një lidership ndryshe, një program ndryshe, një betejë ndryshe, një stil ndryshe në takimet dhe tubimet e tyre elektorale. Por isha gabuar.
Sinqerisht, nuk e besoja që Berisha të premtonte shumë qysh para 6 muajsh, dhe të zhgënjente kaq shumë. Shpalli “primaret, fitoren e tyre, listën e kandidatëve të fitores, shpalli Shqiperinë Madhështore”, dhe del e merret me PS, qeverisjen e saj, Edi Ramën, deputetët e tij, dhe me asgjë tjetër. Gjithë ditën e Zotit, PD dhe mediat e saj, merren me Erion Veliajn, rrugët e përfunduara, pallatet e ngritura në Tiranë (dhe jo pallatet e saj që lartësohen çdo ditë në Tiranë e gjetkë), merren me stilin dhe ngjyrat e veshjes së kryeministrit, premtojnë ndonjë rritje page dhe pensioni, dhe duke nisur nga Berisha, ngatarrohen me fjalët e tyre, aq sa bëhen qesharakë. Sinqerisht nuk e besoja se PD, do të prezantohej kaq keq, dhe me kaq zbrazëti politike dhe intelektuale para shqiptarëve. Dhe kjo nis nga listat e mbyllura dhe të hapura. Sërish xhaketat e vjetra, miqtë dhe besnikët kokëulur të Berishës, e vazhdon pastaj me qokat dhe budalliqet që flasin “analistët” dhe kandidatët e tyre në studio televizive.
Mendoja se, në fushatën e zgjedhjeve vendimtare për opozitën, Partia Demokratike do të prezantohej me fytyrë të re, me stradegji dhe program të ri, me logjikë dhe ide motivuese për demokratët dhe votuesit e pavendosur. Por me prezantimin amatoresk të programit të saj, PD ka larguar dhe po largon nga llogoret e saj, edhe qëndrestarët, edhe ata që punuan dhe kontribuan 12 vjet rresht, dhe nuk morën as mirënjohje nga Berisha dhe Noka. Edhe pse jemi në javët e fundit të fushatës, mendoj se rezultati sipas të gjitha parashikimeve dhe prezantimeve fizike të opozitës, dihet. Humbja e saj në 11 Maj, pritet të jetë katastrofike. Po aq kaotike dhe e rrëmujshme, pritet të jetë edhe situata brënda selisë blu pas humbjes. Kësaj here Berishës do ti duhen fjalime të gjata dhe skenar të mirëmenduar, tu mbushë mëndjen miqve dhe aleatëve, të mos largohen nga ajo parti. Gjithsesi, Berisha u mësua të rrijë gjatë në opozitë, dhe mendoj se ndjehet më komod në ato karrige. Të paktën nuk do të harrojë flakadanët dhe molotovët.