Sali Berisha zhvilloi një vizitë në ambasadën e Vatikanit këtë të mërkurë ku shprehu ngushëllimet dhe nderimin më të madh për Papa Françeskun. Berisha u shpreh se Papa i ndjerë ishte një mik i shquar i kombit shqiptar.
“Papa Françesku u nda nga jeta si një papë i madh i paqes. Ai ishte gjithashtu një mik i shquar i kombit shqiptar. Shqipëria do ishte një nga vendet më të para që ai vizitoi pas inaugurimit të tij në fronin papal të Selisë së Shenjtë”, tha Berisha.
Berisha tregoi edhe bisedën që pati me Papën kur e ftoi të vinte në Shqipëri.
“I thashë, unë po ju ftoj së pari se është në traditë, që fqinjët vizitohen të parët dhe ne jemi nga fqinjët më të parë. Së dyti, historia e kishës shqiptare, por edhe e aleancës së shqiptarëve me Vatikanin ju thërret për këtë vizitë. Ishte një ngjarje e jashtëzakonshme për Shqipërinë, por për mbarë qytetërimin perëndimor, ku gjatë vizitës së tij, papa lumnoi këtu 38 martirë të kishës shqiptare që ranë për t’u bërë të pavdekshëm për besimin e tyre te zoti gjatë diktaturës komuniste të Enver Hoxhës”, tha Berisha./E.S