Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1, Lewis Hamilton, aktualishte te Ferrari, këtë sezon po vuan më shumë se kurrë. Britaniku u rendit në vendin e shtatë në Çmimin e Madh të Arabisë Saudite, teksa duket se është dorëzuar vetëm pesë gara nga nisja e sezonit.
“E vetmja gjë që rezulton dukshëm nga këto tri gara radhazi është se jam i ngadaltë dhe se duhet të përpiqem të kuptoj se si të dal nga kjo situatë”, tha Hamilton me keqardhja pas garës.
Hamilton fitoi garën sprint në Kinë, por në Japoni, Bahrein dhe Arabinë Saudite ishte gjithmonë larg shokut të tij të skuadrës, Leclerc, i cili u rendit i treti në garën e fundit. Tashmë diferenca midis dy pilotëve të Ferrarit është 16 pikë në favor të Charles Leclerc.
Duke folur për Sky Sports, Hamilton tha se po kalon një moment shumë të vështirë dhe se aktualisht nuk ka në dorë një zgjidhje të “shkopit magjik” ose diçka në të cilën të besojë për të qenë optimist për të ardhmen.
“Nuk kam asnjë shpjegim për paraqitjet e mia. Nuk ka zgjidhje për momentin, duket se kështu do të jetë edhe për pjesën e mbetur të vitit dhe do të jetë e vështirë. Në garë provova gjithçka, por nuk munda ta bëja makinën të ecë më shpejt.
Nuk kisha shpejtësi dhe rrëshqisja kudo. Me gomat e mesme pata shumë probleme dhe shumë degradim të tyre. Me gomat e forta bilanci i makinës ishte më i mirë, por gjithsesi nuk isha i shpejtë. Ishte e tmerrshme dhe aspak e këndshme”, tha Hamilton. m.p.