NASA ka punësuar disa nga shkencëtarët më të aftë në botë për të studiuar Marsin, por edhe ata janë mbetur të habitur nga një zbulim i fundit në Planetin e Kuq. Roveri Perseverance ka zbuluar një shkëmb të çuditshëm në Mars, të cilin agjencia hapësinore e ka quajtur “Kodra e Kafkës”.
Shkëmbi u zbulua në rajonin Port Anson, që ndodhet në buzën e kraterit Jezero. Analizat fillestare sugjerojnë se mund të jetë një “shkëmb lundrues” një lloj shkëmbi i veçantë që ndoshta ka ardhur nga një vend tjetër para se të përfundonte në vendndodhjen aktuale.
“Kjo copë shkëmbi dallohet dukshëm nga shkëmbinjtë përreth për shkak të ngjyrës së errët dhe sipërfaqes këndore, si dhe përmban disa gropa në të,” tha NASA.
“Po të shikoni me kujdes, mund të dalloni edhe sferula brenda pluhurit rrethues!” Megjithatë, agjencia hapësinore pranon se origjina e vërtetë e shkëmbit mbetet ende një mister.
“Kodra e Kafkës” u fotografua nga instrumenti Mastcam-Z i roverit Perseverance në fillim të këtij muaji, ndërsa ai po vazhdonte udhëtimin nëpër shpatin më të ulët të “Kodrës së Lejlekut të Bardhë” (Witch Hazel Hill).
“Roveri ndaloi në një zonë ku nga orbita vërehet një kufi mes dy formacioneve shkëmbore me ngjyrë të ndryshme një vend që ekipi e ka quajtur ‘Port Anson’,” tha NASA. “Përveç kësaj ndarjeje, roveri ka hasur disa shkëmbinj interesantë që mund të jenë sjellë nga diku tjetër të ashtuquajturit shkëmbinj lundrues.”
Së pari, ngjyra e errët e shkëmbit sugjeron se mund të jetë një meteor. “Ngjyra e errët e ‘Kodrës së Kafkës’ i ngjan meteorëve të zbuluar në kraterin Gale nga roveri Curiosity,” shpjegon NASA. “Përbërja kimike është një element kyç për të identifikuar një meteor, dhe meteorët e zbuluar në Gale përmbanin sasi të konsiderueshme hekuri dhe nikeli.”Megjithatë, analizat e fundit të shkëmbinjve përreth kanë treguar se përbërja e tyre nuk përputhet me një origjinë meteoritike.
Alternativa e dytë është që shkëmbi të jetë me origjinë magmatike, i eroduar nga një formacion shkëmbor aty pranë, ose i nxjerrë nga ndonjë përplasje asteroidi. “Në Tokë dhe Mars, hekuri dhe magnezi janë disa nga përbërësit kryesorë të shkëmbinjve magmatikë, të cilët formohen nga ftohja e magmës ose llavës,” shtoi agjencia.
“Këta shkëmbinj mund të përmbajnë minerale me ngjyrë të errët si olivina, pirokseni, amfiboli dhe biotiti.” Fatmirësisht, misteri i këtij shkëmbi mund të zbulohet së shpejti, pasi roveri Perseverance është i pajisur me instrumente të afta për të analizuar përbërjen kimike të shkëmbinjve. m.p.