Një punonjës i Policisë së Shtetit është arrestuar në kushtet e flagrancës nga agjentët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, pasi ka shkaktuar një aksident mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorës.
Referuar njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për punonjësin e policisë S. GJ., me detyrë Shofer në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (Akademia e Sigurisë), i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Arrestimi i tij u krye pasi mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:45, në aksin rrugor “Gjergj Kastrioti”, ka humbur kontrollin e drejtimit të automjetit (ambulancë) tip Volksvagen dhe si pasojë ka shkaktuar dëme materiale në tre automjete të parkuara në anë të rrugës.
Nga verifikimi me testin matës të alkoolit ka rezultuar pozitiv në masën 1.16 mg/l dhe 1.14 mg.l Materialet proceduriale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.
Pavarësisht hetimeve dhe arrestimit, është e paqartë sesi një punonjës i Policisë së Shtetit ka marrë drejtimin e ambulancës së Spitalit të Vlorës, përveç faktit që ka qenë i dehur dhe ka shkaktuar dhe aksident.
AMP thotë se mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al.