Një efektiv policie në Shkodër është pezulluar nga detyra me vendim të drejtorit të Policisë vendore në atë qytet.
Bëhet fjalë për punonjësin e Policisë N/Komisar P. M., teksa shkak për pezullimin e tij nga detyra është bërë një shkrim që ai e kishte publikuar në profilin e tij në rrjetet sociale, dhe më pas shkrimi ishte publikuar në një portal online.
Sipas autoriteteve, në këtë rast, nënkomisari P.M. ka shkelur ligjin, teksa bëhet me dije se Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj.
Duket se shkrimi ka të bëjë me fushatën elektorale, pasi Policia thotë se është institucion i administratës shtetërore, i depolitizuar, i baraslarguar nga subjektet politike.
“Pas konstatimit të një shkrimi të postuar në rrjetin social Facebook të tij nga punonjësi i Policisë N/Komisar P. M., dhe më pas është publikuar nga një portal, shkrim ky në shkelje të Ligjit të Policisë së Shtetit, ju informojmë se Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, menjëherë ka bërë pezullimin nga detyra të punonjësit të Policisë.
Njëkohësisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj punonjësit të policisë Nënkomisar P. M., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë në DVP Shkodër, për shkelje të parashikuar nga neni 121, pika 1, germa “m” – “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”, dhe pika 2, germa “a” – “Shkelja e rregullave të papajtueshmërisë me funksionin ose të kufizimeve për shkak të funksionit”, të Ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se strukturat e saj janë të angazhuara maksimalisht në luftën kundër krimit dhe paligjshmërive, si dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë gjithë procesit zgjedhor.
Në zbatim të nenit 6 të Ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, Policia është institucion i administratës shtetërore, i depolitizuar, i baraslarguar nga subjektet politike, tërësisht në funksion të zbatimit të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve.”/e.t