Procesi i dizinsektimit në zona turistike të Lezhës ka nisur dhe është shtrirë në të gjitha vatrat ku është evidentuar prania e larvave të mushkonjave.
Fushata po zhvillohet nën mbikëqyrjen e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe përfshin trajtimin e të gjitha zonave të identifikuara si problematike, ndërsa konsiderohet një hap i rëndësishëm në kuadër të përgatitjeve për sezonin turistik.
“Për territorin e Lezhës janë të kontraktuara 8 hektarë që do të dezinsektohen herë pas herë. Dezinsektimi do të bëhet nga një kompani e kontraktuar nga NJVKSH, tha drejtori Elson Frroku.
Shëngjini mbetet një nga pikat më të ndjeshme për shkak të afërsisë me zonën lagunore dhe pranisë së ndërtimeve me bodrume të mbushura me ujë, që krijojnë kushte për zhvillimin e larvave të mushkonjave. Ky është një hap i rëndësishëm me qëllim garantimin e higjienës dhe mbrojtjes së shëndetit të pushuesve ne verë./e.t