Kolegji i Posaçëm i Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Tiranës, Fida Osmani.
Nga hetimet, KPK verifikoi pamundësi financiare të familjes së Fida Osmanit për vënien e pasurive që posedonin si dhe janë vërejtur konflikte interesi në disa prej çështjeve të gjykuara nga ajo duke çuar në shkarkimin nga detyra në vitin 2022.
Vendimi u la në fuqi nga trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Rezarta Schuetz relatore, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj anëtare.
“Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 525, datë 27.04.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Fida Osmani. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, thuhet në njoftim./E.S