Kryeministri Edi Rama është zotuar se pas spitalit “Memorial” në Fier do të hapë një tjetër spital, që do të jetë referencë, sipas tij, edhe për vendet e rajonit. Kjo deklaratë vjen në kohën kur shumë mjekë dhe infermierë po largohen drejt Gjermani dhe Italisë për një pagë dhe kushte më të mira.
Në një kohë kur Shqipëria po përballet me një valë largimesh masive të mjekëve dhe infermierëve drejt vendeve të Bashkimit Europian, kryesocialisti Edi Rama premtoi këtë të dielë në Vlorë ndërtimin e një spitali publik të nivelit më të lartë, që sipas tij do ta kthejë vendin në një pikë referimi për shërbime shëndetësore në gjithë rajonin. “Duam paralelisht të ndërtojmë një spital tjetër, një spital të nivelit më të lartë, spital publik, jemi duke punuar për këtë me një skemë partneriteti me një vend mik… Madje Shqipëria atëherë bëhet pikë referimi në të gjithë rajonin, të vijnë këtu për t’u kuruar”, deklaroi Rama, pa dhënë shumë detaje për projektin apo afatet konkrete të realizimit. Ky premtim vjen në një situatë paradoksale: prej vitesh, Shqipëria eksporton “trurin” që sot pretendon të importojë. Vetëm në tre vitet e fundit, sipas të dhënave zyrtare dhe raporteve të shoqatave profesionale, qindra mjekë dhe mijëra infermierë shqiptarë kanë emigruar, kryesisht drejt Gjermanisë dhe Italisë, për shkak të kushteve të punës, pagave të ulëta dhe mungesës së mundësive për zhvillim profesional në vend. Ndërkohë, Rama shpalosi nga Vlora objektiva të mëdha për vitin 2030, duke premtuar rritje të pagës minimale në 650 euro dhe ulje të papunësisë në nivelin mesatar të Bashkimit Europian, rreth 6%. Ai tha gjithashtu se nga reforma në arsimin e lartë janë mbyllur 40 universitete private dhe janë shtuar programet ndërkombëtare të shkëmbimit akademik. Në këtë kuadër, Rama përmendi edhe hapjen e Akademisë së Aviacionit në Vlorë, që sipas tij do të shërbejë si qendër rajonale për përgatitjen e pilotëve për të gjitha kategoritë e mjeteve të fluturimit. Megjithatë, largimi i mjekëve dhe infermierëve shqiptarë, sidomos të rinjve që përfitojnë nga këto programe shkëmbimi, është bërë një nga sfidat më të mëdha të sistemit shëndetësor shqiptar. Nëse ritmi aktual i emigrimit vijon, ndërtimi i një spitali të ri publik për rajonin mund të ndeshet me një tjetër pengesë: mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar brenda vendit. Në këtë situatë, mbetet për t’u parë nëse Shqipëria do të arrijë të ndërtojë, jo vetëm mure dhe pajisje moderne, por edhe të rikrijojë kapitalin njerëzor që sot po e humbet.