Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sekuestruar kamerat në bllokun e sigurisë ku po qendron shefi i Policisë Rrugore në Tiranë, Roven Zeka.
Sipas gazetares së Klan News, Glidona Daci, ka të dhëna zyrtare për SPAK-un se Zeka ka pasur kontakt me zyrtarë të tjerë policie.
Kujtojmë se më 19 Prill, Zeka së bashku me Sokol Novaku, shefi i Aksidenteve për kryeqytetin dhe oficeri i policisë gjyqësore Edison Tabaku, u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, pasi dyshohet të kenë marrë ryshfet.
Ata dyshohet të kenë kërkuar një vlerë prej rreth 2 mijë eurosh nga shtetasja me iniciale A.V., e cila u përfshi në një aksident me datë 16 Prill. Po kështu, u kërkua që shuma të dorëzohej brenda një kohe të shkurtër.
“Pas të dhënave dhe informacionit të siguruar nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka rezultuar se punonjës të policisë rrugore i kanë kërkuar familjarëve të drejtueses së automjetit, shtetases A.V, pagesën prej 2 mijë eurosh, për mosarrestimin e saj”, njoftoi policia.
Roven Zeka erdhi në krye të komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë në Dhjetor të 2024, pasi më herët kishte shërbyer në qytetin e Elbasanit./E.S