Gjykata e Korçës caktoi sot masën e sigurisë arrest me burg në mungesë për Kejsi Spahillarin si e dyshuar në vrasjen e të riut Antonio Karafili 7 vite më parë në Voskopojë, i gjetur i varur në pemë në afërsi të këtij fshati.
Sipas prokurorisë, nga provat biologjike rezulton se Rexhep Vathi dhe Kejsi Spahillari kane mbytur me çarçaf Antonio Karafilin dhe më pas e kanë varur në pemë, duke inskenuar vetëvrasjen e te riut. Motivi i krimit dyshohet të jetë lidhja paralele që Kejsi Spahillari kishte me viktimën dhe Rexhep Vathin. Pas krimit, Spahillari emigroi në Kanada, ndërsa në gusht të 2024, Rexhep Vathi vrau veten.
Ndërkohë lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe e ëma e Kejsi Spahillarit, e cila ka thënë se vajza e saj nuk është vrasëse.
Ajo tha gjithashtu se vajza e saj dhe 18-vjeçari Antonio Karafili kishin pasur një grindje para se të ndodhet ngjarja. Pas grindjes, sipas saj, ata kishin shkuar në Voskopojë dhe 18-vjeçari nuk kishte pranuar të zbriste poshtë. Ajo shtoi se kur shkuan e ëma dhe vëllai i tij për ta marrë 18-vjeçarin në Voskopojë, ata e gjetën atë të vdekur.
“Asnjë gjë nuk është e vërtetë. Çdo gjë është një sajesë. Ka qenë komplet ndryshe historia që në fillim. Jam komplet e shokuar. Nuk e njoh fare personin në fjalë. Nuk ka mundësi që pa pasur diçka konkrete të shpiket kjo histori. Sepse Kejsi ishte ajo që kur e gjeti bashkë me të jëmën, e kanë mbajtur dhe e kanë prerë çarçafin. Edhe unë e kam prekur me dorë çarçafin kur e kanë sjellë djalin në shtëpi. Sepse ne e dinim si familje, nuk kishte arsye që të ndodhte kjo.
Të bëhesh një person vrasës pa pasur asnjë provë, Kejsi nuk ka lidhje fare. Ata ishin në Korçë, kishin pasur një grindje. Ishin ngjitur në Voskopojë. Kishin dashur të zbrisnin. Ai nuk kishte dashur pas grindjes dhe Kejsi e kishte lënë aty, kishte pritur që ai të vinte. Nuk kishte ardhur dhe ajo kishte zbritur dhe kishte marrë të ëmën dhe të vëllain dhe u kishte thënë nuk do të zbresë.
Kur vajtën e kanë gjetur. Kur vajtën atë natë dhe Kejsi më mori në telefon mua duke ulërirë dhe pasi e kishin gjetur, ata nuk thanë që ishte i shtrirë ashtu siç ata pretendojnë, por vetë e ëma tha që e ngritëm peshë që premë çarçafin. Jo, e gjetëm me këmbë në tokë. Është e tëra një sajesë, pas një muaji e gjysmë filluan dhe e stisën gjithë këtë gjë. Kërkoj vetëm drejtësi nga Policia, sepse është vërtetë mëkat të bësh vrasës dikë që nuk është”, tha e ëma e Kejsi Spahillarit./e.t