Kryetari i PD, Sali Berisha, i pranishëm prej dy ditësh në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane (PPE) në Valencia. Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se në prag të zgjedhjeve të 11 majit, e gjithë bota pret fitoren e PD.
Berisha njoftoi se PPE do të miratojë rezolutën e katërt brenda pesë muajsh që dënon qeverisjen e Ramës, duke theksuar se Partia Demokratike ka marrë një mbështetje të plotë nga PPE dhe aleatët ndërkombëtarë në rrugën drejt integrimit europian.
Ai theksoi se 74 fitore të forcave të qendrës së djathtë në Europë do të pasohet nga e 75-ta, që sipas tij, do të jetë fitorja e PD në zgjedhjet e 11 majit.
Berisha: Prej dy ditësh, gjendem në Valencia, në punimet e Kongresit më të rëndësishëm që mbahet sot në Europë, Kongresit të PPE, në të cilin marrin pjesë, de facto, udhëheqja më e rëndësishme e kontinentit, kancelari Merz dhe 14 kryeministra të vendeve europiane, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe një numër i konsiderueshëm komisionerësh, kryetarja e Parlamentit Europian, znj.Metsola, dhe një numër i konsiderueshëm europarlamentarësh marrin pjesë nga delegacionet e të gjitha partive të qendrës së djathtë të Europës, të cilat janë të anëtarësuara në PPE.
Gjatë punimeve të këtij kongresi që i kushtohet kryesisht ndryshimeve të mëdha në Europë dhe në botë të sotme, unë pata rastin, përveç fjalës sime, në të cilën u përqendrova tërësisht në situatën në Shqipëri dhe paraqita para audiencës më të madhe europiane, të vërtetën e trishtë të narkoshtetit të vetëm dhe të parë në Europë, që është narkoshteti i ndërtuar nga Edi Rama, në Shqipëri.
Diskutova gjerësisht përpjekjet e tij për të shndërruar zgjedhjet në fasadë, si dhe dhunën mbi terrorin politik që ai ushtron ndaj forcave opozitare, me qëllimin e vetëm për të marrë një mandat të katërt.
Mendoj se, fjala, vërtet u prit shumë mirë dhe pati një impakt të fuqishëm pozitiv. Kështu që, unë mendoj se bëra si duhet detyrën para popullit opozitar shqiptar, por edhe para çdo shqiptari, pasi këto të vërteta duhet të dihen dhe të luftohen. Është intërësi ky, më i mirë i të gjithë shqiptarëve.
Z.Berisha, çfarë mbështetje mori PD nga PPE?
Berisha: PD dhe populli opozitar, mori një mbështetje të plotë dhe totale nga PPE. Këtu, miratohet sot një rezolutë, në këto momente, pas kësaj interviste do jem aty, në të cilën dënohen me forcë të gjitha problematikat e mëdha të krijuara nga qeverisja e Edi Ramës në raport me zgjedhjet, në raport me opozitën, në raport me zbatimin e ligjit, me korrupsionin, me të gjitha.
Pra, mendoj se sot, populli opozitar, pikërisht pak ditë para zgjedhjeve, merr një thirrje, merr një kushtrim për t’u ndarë nga të gjitha këto problematika të rënda të krijuara nga regjimi, në mënyrë që, PPE, 14 kryeministra të kësaj organizate, të mund të mbështesin Shqipërinë në rrugën e integrimit europian.
Dhe, padiskutim, në mënyrë të qartë si kristali, këta presin fitoren e PD, sepse kanë besim të madh, se kjo forcë do rivendosë, do rikthejë shtetin ligjor dhe se procesi i integrimit me PD në drejtim është i sigurtë dhe do bëjë realitet anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Si ju duket ironizimi i fjalës suaj gjatë takimit nga kryeministri Rama? A e shqetësojnë atë tashmë vizitat tuaja në kongreset e PPE?
Berisha: Sot, i dënuari ndërkombëtar është Edi Rama, me merita. Këtë ta dijë çdo shqiptar. Le të lexojnë rezolutën, e cila do të miratohet për pak, punë çështje kohe dhe kjo, është rezoluta e 4-t në 5 muaj, që dënon Edi Ramën. Në të vërtetë, bota politike, shumica, e botës politike është kundër Edi Ramës, ndëshkon Edi Ramën.
Dhe mos të harrojmë se, janë 74 fitore të forcave të qendrës së djathtë gjatë këtij viti, dhe e 75-ta do të jetë fitorja e PD, e cila mezi pritet nga partnerët dhe miqtë tanë në PPE, në Unionin Demokratik Ndëkombëtar dhe në Qendrën Ndërkombëtare Demokristiane.
Pra, e gjitha bota pret fitoren e PD.
Ka 3 rezoluta që dënojnë proceset elektorale që ka ndjekur z.Rama, a prisni që në 11 maj të ketë një proces të rregullt?
Berisha: Besoj keni dëgjuar atë raportin shumë serioz që ka publikuar dje delegacioni i OSBE. Por, e gjithë kjo mbështetje e madhe për opozitën shqiptare kthehet në një mesazh të fuqishëm për çdo shqiptar për t’i firmosur fundin regjimit të Edi Ramës dhe për të hapur një kapitull të ri për dëmokracinë shqiptare, integrimin e Shqipërisë./E.S