Në një atmosferë entuziaste dhe me pjesëmarrje masive, koalicioni i të rinjve “Nisma Shqipëria Bëhet” zhvilloi një takim në zonën e Xhamllikut në kryeqytet ku u prezantuan kandidatët për Qarkun e Tiranës.
Në fjalën e tij, kryetari për Tiranën i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Endrit Shabani, shprehu para banorëve të zonës ambicien për të siguruar plot 300 mijë vota në 11 Maj.
“Kur ata t’ju marrin në telefon dhe t’ju kërkojnë votën duke thënë se kanë hapur vende punë, atëherë nëse vërtetë kanë hapur vende pune, votojini. Por nëse të rinjtë kanë ikur jashtë dhe këta kanë hapur vende pune veç në Gjermani, atëherë ka ardhur koha t’u japim një shans të rinjve. Ndaj në 11 Maj votoni numrin 6 që të kemi 300 mijë vota në kuti. 300 mijë njerëz që thonë po Shqipëria bëhet dhe që e kanë thyer frikën” – tha Endrit Shabani.
Ndërkohë, për Panajot Sokon, nënkryetar i koalicionit, qeverisja aktuale përpiqet t’i nënshtrojë shqiptarët përmes varfërisë.
“Ata qëllimisht nuk i rrisin pensionet dhe pagat sepse kur je i varfër blihesh lirë. Ata dinin t’i ndanin tokat me drejtësi, por i lanë enkas që ju të vareni nga nevoja që sa herë të vijnë zgjedhjet t’ju kapin si peshku përmes fletës së votimit. Atyre u intereson që këtu të mbeten vetëm ata që janë të varur ekonomikisht prej tyre” – tha Soko.
Drejtuesi i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, kërkoi në Xhamllik që shqiptarët ta kthejnë 12 majin në ditën e shpresës së madhe dhe jo të ikjes së madhe.
“Nëse më 11 maj e reja dështon përballë atyre që i kanë bërë çdo të keqe këtij vendi për 34 vjet, data 12 maj do të jetë dita kur nga ky vend do të nisë ikja e madhe. Ju lutem, mos e ktheni datën 12 maj në ditën e zhgënjimit të madh. Kthejeni në ditën e shpresës së madhe”, nënvizoi Lapaj./E.T