“Nuk është tirani, por demokraci”. Ky ishte mesazhi që Ministria e Jashtme gjermane lëshoi për veshët e Departamentit Amerikan të Shtetit, pas kritikave të senatorit Marco Rubio, në vazhdën e klasifikimit të AfD-së si organizatë ekstremiste e djathtë nga Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës.
“Ky vendim është rezultat i një hetimi të plotë dhe të pavarur për të mbrojtur Kushtetutën tonë dhe sundimin e ligjit”, nënvizohej në reagimin e ministrisë.
Rubio foli më herët për “tiraní të maskuar”, teksa shkroi në platformën X se Gjermania sapo i kishte dhënë agjencisë së saj të inteligjencës kompetenca të reja për të mbikëqyrur opozitën. Ministria e Jashtme gjermane theksoi në përgjigjen e saj se fjala e fundit do t’u lihet “gjykatave të pavarura”. “Ne kemi mësuar nga historia jonë se ekstremizmi i krahut të djathtë duhet të ndalet”, ishte komenti i saj.
Administrata Trump nuk e ka fshehur afërsinë me AfD-në, çka u pa qartë edhe nga mbështetja që bashkëkryetarja e kësaj partie, Alice Weidel, mori gjatë fushatës elektorale në Gjermani për zgjedhjet e 23 shkurtit, nga këshilltari i Trumpit, Elon Musk, dhe zv/presidenti amerikan, JD Vance.
Pas klasifikimit të saj si ekstremiste e djathtë, Vance shkroi në X se AfD është “partia më popullore” në Gjermani dhe se “burokratët po përpiqen ta shkatërrojnë”. Musk gjithashtu u shpreh përmes së njëjtës platforme se “ndalimi i AfD-së do të përbënte një sulm ekstrem ndaj demokracisë”./E.S