Ambasadori i Bashkimit Europian nw Shqipwri, Silvio Gonzato, paralajmëroi se procesi zgjedhor i 11 majit është testi real për Shqipërinë. Ambasadori tha se BE nuk i intereson fituesi, por standardet do të peshojnë në rrugën drejt anëtarësimit. Teksa kryeministri Edi Rama e sheh mandatin e ardhshëm si një votë për Europën, Brukseli i kujton se integrimi matet me drejtësinë dhe ndershmërinë e garës zgjedhore.
Në kulmin e fushatës elektorale ku kryeministri Edi Rama po kërkon mandatin e katërt me premtimin për ta çuar Shqipërinë në Bashkimin Europian, nga ambasada e këtij Unioni në Tiranë erdhi një deklaratë që ftoh entuziazmin e retorikës politike dhe e zhvendos vëmendjen te integriteti i procesit zgjedhor. Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, zhvilloi të enjten një takim me kryekomisionerin Ilirjan Celibashi në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pas takimit, ai dha një mesazh të qartë: Brukseli nuk është i interesuar se kush fiton më 11 maj, por si zhvillohen zgjedhjet. “Unë nuk bëj deklarata para zgjedhjeve,” u shpreh Gonzato për mediat. “Por Bashkimi Europian ka besim të plotë te misioni i ODIHR-it, i cili po monitoron nga afër këtë proces. Zgjedhjet duhet të jenë të lira, të ndershme dhe transparente.”, tha ai. Kjo deklaratë bie në kontrast të fortë me premtimin nga Edi Rama, i cili gjatë gjithë fushatës ka përsëritur se Shqipëria ka nevojë për një mandat të katërt socialist për të përmbyllur rrugëtimin drejt BE-së. Në disa raste, ai e ka paraqitur veten si garantin e vetëm të stabilitetit dhe besueshmërisë së Shqipërisë përpara Brukselit. Por përfaqësuesi më i lartë i BE-së në Tiranë i kujtoi të gjithëve se zgjedhjet janë një provë për shtetin e së drejtës dhe funksionimin e institucioneve, jo për fjalimet politike.
“Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është në zemër të negociatave për anëtarësim,” nënvizoi Gonzato, duke shtuar se “SPAK ka një detyrë shumë të rëndësishme në këtë drejtim.” Për BE-në, fuqizimi i institucioneve të drejtësisë, si dhe garantimi i një gare të drejtë, janë më të rëndësishme sesa deklaratat politike apo premtimet elektorale. Në mënyrë të drejtpërdrejtë, Gonzato theksoi se Bashkimi Europian është në krah të Shqipërisë për ta mbështetur në rrugën drejt anëtarësimit, por nuk ka asnjë interes apo rol ndërhyrës në zhvillimet e brendshme. “Nuk jemi këtu për të ndërhyrë apo për të manipuluar asgjë,” deklaroi ai. Nga njëra anë, një fushatë që e sheh votën si një “po” ose “jo” për Europën përmes një force të vetme; nga ana tjetër, një qëndrim i prerë se integrimi është një proces me standarde të matshme, ku lufta ndaj korrupsionit dhe funksionimi i drejtësisë janë më të rëndësishme se çdo rezultat elektoral. Gonzato e vendosi theksin pikërisht aty ku Rama shpesh ka shmangur të ndalet: te cilësia e procesit. Mesazhi i ambasadorit europian vjen gjithashtu në një moment kur SPAK është nën presion publik dhe politik, me hetime të hapura ndaj zyrtarëve të lartë të cilët po denoncohen në SPAK për krime zgjedhore. Ndërsa Rama kërkon votën për Europën, Europa kërkon zgjedhje të pakontestuara për të vijuar rrugën e integrimit./e.t