Nga Shpetim Luku
Një deklaratë e kohëve të fundit nga një e ftuar në një televizion të rëndësishëm e përmblodhi, ndoshta në mënyrë të ekzagjeruar por domethënëse, klimën e mosbesimit që është krijuar ndaj biznesit shqiptar në përgjithësi e atij ushqimor në veçanti.
“Prej arsyeve kryesore që kam unë në jetë për të mos u bërë me fëmijë në këtë vend, është ku e sjell në jetë këtë fëmijë? Në cilin habitat do ta rritësh? E mendoj që nga qumështi, me të cilin do ta ushqej, apo ushqimet e tjera, që këtu janë të skaduara.”
Ky lloj përgjithësimi nuk pasqyron realitetin, por një perceptim të nxitur nga komunikimi i papërgjegjshëm, shpesh spekulativ, që amplifikohet nga media. Dhe kur media e lejon këtë pa balancë, pa faktim dhe pa zë tjetër, ajo jo vetëm që nuk ndihmon qytetarin, por e fut atë në një cikël frike dhe mosbesimi që dëmton shëndetin psikologjik dhe rrënon besimin ndaj të gjitha strukturave të prodhimit, kontrollit dhe tregtimit.
E kundërta, për fat të keq, është ajo që ndodh gjithnjë e më shpesh: nga një episod i veçuar, ndërtohet një narrativë e frikshme që njollos të gjithë sektorin dhe vë në dyshim seriozitetin e shumë kompanive që prej vitesh investojnë në cilësi, standarde dhe siguri ushqimore.
Një pjesë e madhe e bizneseve shqiptare në industrinë ushqimore kanë ndërtuar me shumë përkushtim dhe sakrifica reputacionin e tyre. Kanë sjellë teknologji moderne, kanë respektuar rregulloret e sigurisë, kanë kaluar inspektime e certifikime dhe janë orientuar drejt eksportit, duke përmbushur kritere të BE-së. Këto kompani janë pasuri kombëtare që meritojnë mbrojtje dhe besim, jo linçim publik të pamerituar.
Gazetaria duhet të informojë, jo të frikësojë. Duhet të denoncojë, por me përgjegjësi. Dhe mbi të gjitha, duhet të bëjë dallimin midis gabimit dhe tendencës, midis një akti të papërgjegjshëm dhe një industrie që po përpiqet të jetë serioze.
Koha është që të gjitha palët – mediat, bizneset, institucionet dhe publiku – të ndërtojnë një marrëdhënie të re me informacionin: më të balancuar, më të saktë dhe më të drejtë.