Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka kaluar disa ditë relaksi në Trentino Alto Adige gjatë fundjavës së kaluar, duke zhvilluar edhe një aktivitet rafting në lumin Noce në zonën turistike Val di Sole.
Në disa foto dhe një video të publikuara, Meloni shihet e shoqëruar nga bashkëpunëtorë të afërt, përfshirë shefen e kabinetit të saj personal Patrizia Scurti, ministrin e Bujqësisë Francesco Lollobrigida, si dhe disa figura të tjera nga partia Vëllezërit e Italisë (Fratelli d’Italia), si nënsekretari për Shëndetësinë Marcello Gemmato dhe deputeti Gianluca Caramanna.
E veshur me një bluzë ngjyrë bezhë dhe një kapele, kryeministrja është fotografuar me të gjithë grupin, përfshirë edhe fëmijë, përpara një qendre aktivitetesh në natyrë në Dimaro (provinca Trento), e drejtuar nga Alessandro Fantelli.
Fantelli, ish-nënkryetar i Federatës Italiane të Raftingut, i ka shoqëruar personalisht gjatë zbritjes me gomone në lumin Noce, një eksperiencë që ai e ka ndarë më herët edhe me ekipe të njohura futbolli si Napoli, Roma dhe Bayern Munich, gjatë përgatitjeve verore në Trentino.
Ndërkohë, ministri Lollobrigida ka provuar edhe fluturimin me parashutë të drejtuar nga ish-kampioni i botës, Luca Donini.
“Ministri është një sportist i vërtetë, shihet se ai dhe Meloni i kushtojnë rëndësi mbajtjes në formë,” tha Fantelli, themelues i agjencisë së aventurave Ursus Adventures.
“Për ne ishte një nder dhe krenari t’i kishim këtu,” – shtoi Fantelli për agjencinë ANSA. “Na befasoi thjeshtësia e tyre. Kaluan një ditë të bukur në shoqërinë e familjeve të tyre, dhe ndryshe nga shumë VIP-a që kërkojnë trajtime speciale, ata u sollën si njerëz të zakonshëm. Ishin shumë të interesuar të mësonin se çfarë përfaqëson lumi Noce për këtë zonë – një dhuratë unike nga natyra, të cilën ne përpiqemi ta ruajmë dhe promovojmë.”