Eksperti i pasurive të paluajtshme, Indrit Abdiu, analizoi në” Top Talk Economy” situatën e pasurive të paluajtshme në vendin tonë.
Çmimet e apartamenteve po shënojnë sërish rritje, por a do të ketë ndryshime? Indrit Abdiu gjatë bisedës u ndal tek zonat ku mund të investohet dhe kur është koha e duhur për të investuar.
“Në kryeqytet është shumë e vështirëm momentalisht të gjesh banesë me çmim 1000 euro metri katror. Mesatarja në zonat qendrore llogaritet rreth 2000 euro metri katror dhe në zonat e tjera përreth mund të gjesh apartamente edhe 1300-1500 euro metri katror. Për çiftet e reja mund të konsiderohen zonat periferike që tani po zhvillohen dhe mund të gjesh apartamente me vlerë më të përballueshme, si psh zona e Paskuqanit që tani ka një plan të ri zhvillimi.
Nëse bëhet një proces rivlerësimi, që ishte hedhur si ide për t’u realizuar që në maj 2024, por mund të bëhet në 2026, kjo pritet t’i rrisë sërish çmimet. Kjo do ndodhë sepse, në momentin kur u hodh ideja për procesin e rivlerësimit, njerëzit ishin të gatshëm për ta nxjerrë pronën në treg. Por në momentin që nuk u realizua, këta individë u tërhoqën nga ky proces sepse taksa në momentin që do e shisnin pronën do ishte më e lartë. Kjo ka bërë që të ulet oferta dhe duke u ulur oferta, blerësit duke mos patur shumë opsione për të blerë, do mbeten ‘peng’ për të blerë ato pak opsione që ndodhen. Dhe nëse në këto kushte më pas do kishte rritje të ofertës, edhe rritja e kërkesës do sillte rritje të çmimeve.
Sa i përket qirave, njerëzit kanë filluar të shtyjnë tregun drejt qirave afatshkurtra se sa tek ato afatgjata. Por pronat e qirave janë rritur ndjeshëm.”– tha ai. m.p.