Prej pesë ditësh vijojnë kërkimet intensive për Ardit Beshirin, 29-vjeçarin që u zhduk nën një masiv dheu ndërsa punonte me eskavator në një fabrikë përpunimi kromi në zonën e Qafës së Burrelit, në bashkinë Klos.
Ngjarja dramatike ndodhi pas një çarje të befasishme në rezervuarin e fabrikës, nga ku u vërshua një përzierje ujërash dhe materiali të grumbulluar nga procesi i kromit. Sasia e madhe e dheut dhe rërës e zuri poshtë mjetin dhe punëtorin, duke bërë që fati i tij të mbetet ende i panjohur.
Në vendin e ngjarjes ndodhen forca të shumta të kërkim-shpëtimit, të mbështetura nga mjete të rënda dhe ekspertë, por deri më tani janë gjetur vetëm disa pjesë të eskavatorit, ndërsa trupi i 29-vjeçarit nuk është gjendur ende.
Për shkak të natyrës së rëndë të situatës dhe sasisë së madhe të materialit të shembur, autoritetet shqiptare kanë kërkuar ndihmë ndërkombëtare. Pas një vendimi të qeverisë së Kosovës, edhe ushtria e Kosovës është përfshirë në operacionin humanitar për kërkim-shpëtim.
“Ministria e Mbrojtjes, mbi bazën e objektivave dhe planifikimeve strategjike për zgjerimin e kapaciteteve, është e përgatitur të mbështesë Shqipërinë me një kontingjent për nevoja humanitare, përkatësisht për operacionin e kërkim-shpëtimit në zonën e Qafës së Burrelit,” thuhet në deklaratën zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka arrestuar drejtuesin teknik të shoqërisë ku ndodhi ngjarja, Ademir Lala, për shkelje të rregullave të sigurisë në punë. Autoritetet kanë garantuar se operacioni do të vijojë pa ndërprerje deri në gjetjen e 29-vjeçarit dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve të tragjedisë. m.p.