Në një deklaratë publike, Partia Demokratike sot bëri me dije se Sali Berisha tashmë mund të udhëtojë i lirë drejt SHBA. Kryedemokrati Sali Berisha komentoi vendimin në një deklaratë për mediat. Ai falënderoi sekretarin amerikan të shtetit, Marco Rubio dhe presidentin amerikan, Donald Trump.
Pyetjes direkte se a është hequr “non grata” Sali Berisha, iu përgjigj në mënyrë të vagullt duke thënë se vendimi ndaj tij është konsideruar vendim politik.
Kryetari i PD nuk dha një sqarim nëse bashkë me të, në këtë qëndrim të ri të Departamentit Amerikan të Shtetit të pretenduar prej tij, përfshihen dhe familjarët e tij, bashkëshortja dhe fëmijët, të shpallur bashkë me të “non grata”.
Berisha: Lajm rajonal i Shqipërisë, por dhe në botë, është lajmi në të cilin DASH i SHBA-së i drejtuar nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio, shpreh qëndrimin e tij në përgjigjen e dhënë një gazetari të njohur, se ai nuk përkrah dhe nuk mbështet vendimet politike, apo qëndrimet politiziuese të administratës së Biden, në këtë rast për Sali Berishën.
Në këtë mënyrë DASH jep përgjigjen më të fuqishme atyre përpjekjeve që u bënë për një Shqipëri pa opozitë nga Edi Rama në mendësinë e etërve të tij, Xhorxh Soros dhe Antoni Blinken.
Ky vendim i një rëndësie të madhe, shkëputjes dhe mospranimit të vendimeve politizues, përpjekjeve të administratës së mëparshme që për shkak të lobimit korruptiv të Edi Ramës dhe Sorosit, të ndëshkonin opozitën konservatore, përfunduan njëlloj si ai firmosi, aty ku e kanë vendin.
Me këtë rast, unë falënderoj DASH, sekretarin Rubio, administratën e re dhe presidentin Trump për këto qëndrime jashtë zakonisht të rëndësishme, kundër vendimeve të ekstremit të majtë, kundër vendimeve të ekstremit të majtë, kundër vendimeve të forcave antidemokratike, të majta në Shqipëri dhe kudo në botë.
Ky vendim është gjithashtu një shpërblim i madh për të gjithë ata demokrate e demokratë që në kushtet më të pazakonte qëndruan për kauzën e drejtë, qëndruan për të vërtetën, e cila vonon, por nuk harron. Ky vendim nxjerr edhe njëherë para shqiptarëve dhe botës, fytyrën e shëmtuar të atyre që morën përsipër një akt të tillë, që vendimet politike të godisnin opozitën konservatore në Shqipëri.
Kur do të udhëtoni drejt SHBA?
Berisha: Unë vendimin e mora vesh mbrëmë, në të njëjtën kohë që e morët vesh dhe ju. Nuk kisha ndonjë plan për udhëtim dhe natyrisht nuk mund të them se do të udhëtoj këto 2-3 ditë sepse janë ditët e kulmit të fushatës. Sigurisht në një kohë më të përshtatshme do kisha shkuar, por ky vendim nuk humbet vlerë, është një vendim jashtëzakonisht i çmuar.
A keni marrë përgjigje nga DASH?
Berisha: Nuk kam marrë asnjë përgjigje nga DASH.
A ju është hequr non grata?
Berisha: Pyetja është se, non grata është konsideruar vendim politik, është dënuar, ky është dënim i atij vendimi. Se është tjetër kur shqyrtohet dhe kjo apo ai qëndrim, por është shpallur; vendime të politizuara të administratës Biden, është paekuivok. Pra është e pashpresë.
A keni aplikuar për vizë?
Berisha: Unë të kërkoj vizë? Jo, nuk kam kërkuar vizë. Unë nuk kam kërkuar vizë, pasi kam lënë detyrën e kryeministrit, në mos gabohem, asnjëherë. m.p.