Më 25 prill 2021, shqiptarët votuan në zgjedhjet parlamentare. Përballja ishte mes Edi Ramës, kryeministër dhe kryetar i Partisë Socialiste, dhe Lulzim Bashës, kreu i Partisë Demokratike dhe i opozitës së bashkuar. Rezultati ishte i qartë: Rama siguroi 74 mandate dhe, për të tretën herë radhazi, të drejtën për të qeverisur i vetëm.
Vetëm 24 ditë më vonë, më 19 maj 2021, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shpallte Sali Berishën “non grata” për korrupsion madhor dhe ndërhyrje në proceset publike gjatë kohës së tij si kryeministër. Kjo ishte një goditje e fortë dhe e paprecedent për një figurë të rëndësishme të politikës shqiptare.
Që nga ajo ditë e deri më sot, nuk ka munguar spekulimi: “Kush e loboi këtë vendim? A ishte Rama pas tij? Apo ndoshta Sorosi?”
Sali Berisha ishte një deputet i Partisë Demokratike, ndërsa kreu i PD-së ishte Lulzim Basha. Opozita ishte e bashkuar dhe Berisha nuk përfaqësonte asnjë kërcënim për qeverinë. Në këtë kontekst, ideja se kryeministri Rama do të kishte ndonjë arsye për të lobuar që Berisha të shpallej “non grata” duket jo vetëm e pavend, por edhe absurde. Çfarë interesi do të kishte një fitues i zgjedhjeve që të merrej me një figurë që sapo kishte humbur zgjedhjet?
Nëse ka pasur ndonjë përkujdesje amerikane, ajo mund të ketë qenë e orientuar nga dëshira për të ndihmuar opozitën të çlirohej nga hija e së kaluarës. Dhe në këtë pikë, Berisha shihej si simboli i së shkuarës që e mbante peng çdo rinovim të brendshëm të PD-së.
Ata që sot shohin një komplot Rama-Soros-Blinken, bëjnë një gjykim që nuk qëndron as logjikisht, as politikisht. Vetëm Berisha dhe ithtarët e tij mund të kenë interes që këtë vendim ta shpjegojnë si një kurth të sajuar, për të justifikuar sanksionimin e tij familjar dhe për të ruajtur statusin e viktimës. Prandaj, përpara se të kërkojmë teori konspirative, ia vlen të ndalemi dhe të pyesim: Kush ishte Sali Berisha më 19 maj 2021?