Katër ditë para zgjedhjeve të 11 majit, vështirësitë me votën e diasporës mbeten të pranishme, sidomos përsa i përket çështjes së zarfave në Greqi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka informuar Partinë Demokratike për 1920 vota të ardhura deri tani me “defekte”. Bëhet me dije se 198 persona kanë gjetur mënyra të pavarura për të dërguar fletët e votimit në kohë.
KQZ ka kërkuar gjithashtu informacion të mëtejshëm nga DHL për zgjidhjen e problemit, duke kërkuar sqarime mbi personelin e angazhuar dhe pengesat që kanë ndodhur gjatë procesit të dorëzimit të zarfave, përfshirë çështjen e zarfave të kthyer dhe atyre që nuk janë dorëzuar siç duhet.
Kërkesa e KQZ për DHL:
“Në lidhje me procesin e shpërndarjes së dokumentacionit zgjedhor me Greqi jeni të lutur të na dergoni URGJENTISHT, një raport në lidhje me këtë proces, referuar çështjeve si më poshtë:
1. Cilat janë strukturat dhe/ose personeli i angazhuar në këtë proces?
2. A i është deleguar ky proces subjekteve të treta? Nëse po, cila është marreveshja?
3. Sa është numri i zgjedhesve të cilëve nuk ju është dërguar njoftim për dërgesën postare të KQZ?
4. Cilat janë arsyet që kjo nuk është bërë?
5. Sa është numri i zgjedhesve që nuk ju është dorëzuar fare dokumentacioni zgjedhor?
6. Sa është numri i zgjedhësve të cilëve nuk ju është dorëzuar personalisht në dorë dokumentacioni zgjedhor?
7. A e dispononi ju dokumentacionin provues të rasteve të dorezimit të dokumentacionit zgjedhor personalisht zgjedhësit?
8. Sa është numri i zgjedhesve të cilëve dokumentacioni zgjedhor ju është tërhequr në banese, pasi kjo ju është kërkuar nga zgjedhësi? A dispononi ju dokumentacionin provues për këto raste.
9. Sa është numri i zgjedhësve që e kanë dorëzuar/kthyer dokumentacionin zgjedhor në zyra apo qendra të tjera pritese të operatorit të sherbimit postar? Cili është domumentacioni provues për këtë rast?”./e.s