Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të enjte takimin përmbyllës elektoral në Vlorë, ku në hapje të fjalës së tij theksoi se Partia Socialiste synon të fitojë më shumë se tetë mandate në këtë qark dhe deri në 80 mandate në rang kombëtar.
“Çdo vlonjat duhet të dalë nga shtëpia më 11 maj dhe të votojë. Duhet të dalë, sepse, sipas mendimit tim, me gjithë këto transformime që i janë bërë Vlorës, me gjithë emrin që ka fituar qyteti dhe xhelozinë që është krijuar për shkakun tim, nuk do të ishte e drejtë që PS të ngjitet në mbi 80 mandate, ndërsa Vlora të mbetet sërish në tetë. Megjithatë, vlonjatët e dinë vetë më mirë dhe nuk këmbëngul të them se unë e di më mirë se ata”, u shpreh Rama.
Ai gjithashtu zbuloji disa nga projektet për zhvillimin e qytetit bregdetar dhe theksoi investimet strategjike që do ta bëjnë Vlorën një destinacion të rëndësishëm turistik dhe ekonomik në rajon.
Rama nënvizoi se me investimet e reja dhe projektet e planifikuara, Vlora do të transformohet në një nga destinacionet kryesore të Mesdheut.
Ai përmendi ngritjen e pikat e porteve për jahte dhe zhvillimin e një porti turistik, si dhe krijimin e mundësive për firma prestigjoze të hotelerisë të vendosen në qytet.
Kryeministri tha gjithashtu se Vlora do të ketë një Akademi të Aviacionit Civil, e cila do të përgatisë pilotët shqiptarë dhe do të shërbejë edhe për trajnimin e profesionistëve nga vendet e tjera të NATO-s.
“Vitet e fundit, për Vlorën është bërë shumë, por në katër vitet e ardhshme do të vazhdojmë të realizojmë projekte që tani duken të pamundura. Vlora do të bëhet një destinacion kryesor për turizmin në Mesdhe. Dëgjojeni mirë këtë, sepse kjo nuk është thjesht fjalë fushate, por një vizion real që është duke u realizuar”, deklaroi Rama.
Një tjetër investim i rëndësishëm, sipas Ramës, është Aeroporti i Vlorës, që do të luajë një rol të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të qytetit dhe qarkut. Kryeministri theksoi se ky aeroport do të kontribuojë në krijimin e mbi 1000 vendeve të punës, kryesisht për të rinjtë, dhe do të ofrojë fluturime për pasagjerë dhe ngarkesa, duke lidhur Vlorën me destinacione të tjera ndërkombëtare. Gjithashtu, ai theksoi se Aeroporti do të ketë një qendër për mirëmbajtjen dhe riparimin e avionëve të disa prej kompanive më të mëdha europiane.
“Ky aeroport do të jetë një ‘serum’ i fortë ekonomik për qytetin dhe qarkun. Do të sjellë mundësi punësimi për mbi 1000 qytetarë, kryesisht të rinj. Këtu do të krijohet një bazë për aviacionin civil dhe një qendër për trajnim dhe zhvillim profesional”, tha Rama.
Kryeministri përfundoi duke u shprehur se Vlora do të ketë një nga bregdetet më të bukura të Mesdheut, duke shndërruar qytetin dhe rajonin në një magnet për turistët dhe investitorët e huaj. m.p.