Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka mirëpritur 19 delegacione nga Trupat e Menaxhimit Zgjedhor të vendeve të ndryshme të botës, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që operojnë në fushën e zgjedhjeve. Vizita u zhvillua në kuadër të “Programit të vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve”, i cili organizohet për herë të dytë nga KQZ.
Delegacionet pjesëmarrëse përfshijnë përfaqësues nga vende si Armenia, Azerbajxhani, Bosnja dhe Hercegovina, Estonia, Gjeorgjia, Kroacia, Kosova, Lituania, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Finlanda, Suedia, Turqia, si dhe nga Organizata Botërore e Trupave Zgjedhore.
Gjatë qëndrimit të tyre, delegacionet u njohën me përgatitjet për zgjedhjet në Shqipëri, funksionimin e komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta, si dhe proceset e identifikimit dhe votimit elektronik. Gjithashtu, u prezantua puna për monitorimin e fushatës dhe masat për të garantuar integritetin dhe transparencën e procesit zgjedhor.
KQZ prezantoi edhe përpjekjet e përbashkëta me institucionet ligjzbatuese si SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme për të luftuar krimet zgjedhore dhe për të shmangur përdorimin e burimeve shtetërore në fushata.
Programi synon të shkëmbejë eksperiencat më të mira ndërkombëtare, si dhe të promovojë risitë e aplikuara në Shqipëri, përfshirë identifikimin elektronik të votuesve dhe votimin nga jashtë vendit. Delegacionet do të vëzhgojnë zgjedhjet dhe do të vizitojnë edhe disa pika turistike dhe kulturore të vendit. m.p.