Sot, më 11 maj 2025, qytetarët shqiptarë i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e ri. Procesi i votimit ka nisur në orën 07:00 dhe do të përfundojë në orën 19:00, me të drejtën për të votuar pas këtij orari vetëm për ata që ndodhen në radhë në momentin e mbylljes.
Në këtë proces marrin pjesë 3.713.761 shtetas shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare, voton edhe diaspora, me 245.935 emigrantë shqiptarë të regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje.
Në garë për 140 vendet në Kuvend janë 11 subjekte zgjedhore – përfshirë parti dhe koalicione – të cilat kanë paraqitur kandidatë në lista të hapura dhe të mbyllura.
Subjektet politike pjesëmarrëse, sipas renditjes në fletën e votimit:
- Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (Sali Berisha)
- Lëvizja Bashkë (Arlind Qori)
- Lëvizja Atdheu (Kreshnik Osmani)
- Koalicioni Euroatlantik (Endri Hasa)
- Partia Socialiste e Shqipërisë (Edi Rama)
- Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet (Adriatik Lapaj)
- Aleanca Kombëtare Shqiptare (Elena Kocaqi)
- Aleanca Demokracia e Re (Edmond Stojku)
- Koalicioni Djathtas për Zhvillim (Dashamir Shehi)
- Mundësia (Agron Shehaj)
- Partia Socialdemokrate (Tom Doshi)
Për zgjedhjet e këtij viti janë ngritur 5,225 qendra votimi në të gjithë territorin e vendit. KQZ dhe Policia e Shtetit kanë marrë masat për mbarëvajtjen e procesit, ndërsa mbikëqyrja është përforcuar edhe nga institucionet ndërkombëtare./E.T