Presidenti rus, Vladimir Putini, ka rënë dakord sot për të zhvilluar bisedime “të drejtpërdrejta” me Ukrainën më 15 maj, pas thirrjeve të udhëheqësve evropianë për një armëpushim “të pakushtëzuar” gjatë një vizite në Kiev.
Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Ukraina është e gatshme të marrë pjesë në bisedime të drejtpërdrejta, por kërkoi që Moska të angazhohet fillimisht për një armëpushim 30-ditor, duke filluar që nga dita e hënë.
Zelensky reagoi disa orë pas propozimit të Vladimir Putin për të zhvilluar bisedimet në Stamboll gjatë këtij muaji. Megjithatë, Kremlini nuk u shpreh i gatshëm të pranojë zyrtarisht kërkesën për armëpushimin 30-ditor të propozuar nga udhëheqësit evropianë dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
“Nuk ka kuptim të vazhdojmë vrasjet as edhe për një ditë të vetme. Ne presim që Rusia të konfirmojë një armëpushim, të plotë, të qëndrueshëm dhe të besueshëm, duke filluar nga nesër, më 12 maj, dhe Ukraina është gati të takohet”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale.
Ai shtoi gjithashtu se është inkurajues fakti që Rusia duket se po shqyrton mundësinë për t’i dhënë fund luftës që ka hyrë në vitin e tretë.”Është një shenjë pozitive që rusët më në fund kanë filluar të shqyrtojnë mundësinë e përfundimit të luftës”, teksoi Zelensky. m.p.