Arkivat të Vatikanit, çfarë fshihet mes dokumentash

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Zgjedhja e papës së ri, Leon XIV, nga Konklava, ka shtyrë disa studiues të besojnë se Arkiva e Vatikanit, – dikur e quajtur “Sekrete”, por me pas e quajtur “Apostolike” – të jetë e aksesueshme për studiuesit po aq sa e bëri dikur Papa Leon XIII. Kështu që shumëkush beson se do të dalin në dritë shumë nga misteret e mbajtura në errësirën e Arkivës së nëndheshme…

…Autorë bestseller-ash si Dan Brown në romanet “Kodi i Da Vinçit” dhe “Engjëj dhe Djaj”, apo Steve Berry në romanin “Sekreti i Tretë”, kanë përshkruar Arkivat si qendra të së vërtetës së ndaluar, ku ruhen dokumente që mund të trondisin themelet e krishterimit. Skenat me labirinte nën Vatikan, me letra të papreve dhe dëshmi tronditëse për jetën e Jezusit, martesa të fshehta apo profeci të errëta, janë kthyer në trille tërheqëse për lexuesin bashkëkohor. Por përtej fabulës letrare, çfarë fshihet vërtet në këto raftet që shtrihen për dhjetëra kilometra?
Për shumë shekuj, Arkivat Apostolike të Vatikanit – më parë të quajtura “Arkivat Sekrete të Vatikanit” – kanë qenë një nga vendet më enigmatike dhe më të diskutueshme të botës perëndimore. Termi “sekret” nuk nënkuptonte domosdoshmërisht fshehtësi në kuptimin modern, por vinte nga fjala latine secretum, që do të thotë “privat”. Megjithatë, aura e misterit që e ka mbuluar këtë institucion për më shumë se katër shekuj ka ushqyer imagjinatën e historianëve, romancierëve dhe teoricienëve të konspiracionit.
James Hill, një Historian britanik i Mesjetës, në një shkrim të botuar prej tij “E vërteta e Arkivave Sekrete të Vatikanit’ shkruan: Unë jam një studiues i papatit në fund të Mesjetës dhe kam qenë në Arkivat Sekrete të Vatikanit Fjala “sekret” në Arkivat Sekrete të Vatikanit mund të jetë arsyeja për disa nga spekulimet e shfrenuara rreth asaj që ndodh atje. Por kjo e bën arkivin të duket shumë më joshës nga sa është.
Ndërsa gazetarja amerikane nga Kolorado, Erin Blakemore, në shkrimin e botuar prej saj “Brenda Arkivave Sekrete të Vatikanit” jep të dhëna mjaft interesante: Pesëdhjetë e tre milje rafte. Tridhjetë e pesë mijë vëllime katalogësh. Dokumente me vlerë dymbëdhjetë shekuj. Të vendosura në një nga bastionet më ikonike të fesë dhe kulturës ndonjëherë, Arkivat Sekrete të Vatikanit janë legjenda historike – por ekzistenca e tyre është absolutisht reale. Jo kushdo mund të hyjë në arkiv—është i hapur vetëm për studiuesit që i nënshtrohen një procesi të plotë verifikimi. Megjithatë, vitet e fundit Vatikani është bërë pak më i hapur me sekretet e tij. Në vitin 2010, në përgjigje të interesit të shtuar publik për Arkivat Sekrete dhe mitet e përjetësuara nga libri më i shitur i Dan Brown, “Engjëj dhe Djaj”, Vatikani lejoi gazetarët ta vizitonin atë për herë të parë. Në vitin 2012, Arkivat Sekrete të Vatikanit organizuan një ekspozitë publike të disa prej dokumenteve të tyre më të rëndësishme në festimin e 400-vjetorit të lindjes së tyre.
Në faqen zyrtare: “rchivioapostolicovaticano.va” thuhet se: Pasi Papa Leo XIII hapi dyert e “Archivio Segreto Vaticano” për studiuesit në vitin 1881, ai është bërë një nga qendrat më të famshme të kërkimit historik në botë. Në përputhje me një praktikë të vendosur në vitin 1924, Papa jep akses falas në dokumentet “të grupuara në pontifikate” që aktualisht janë në fuqi deri në fund të papatit të Papa Pius XII , tetor 1958. Megjithatë, Pali VI u tërhoq nga kjo praktikë dhe u dha studiuesve akses në Arkivat e Koncilit të Dytë të Vatikanit

Thesari historik e shpirtëror
Arkivat Apostolike të Vatikanit përmbajnë më shumë se 85 kilometra rafte dhe mbi 35,000 dokumente që përfshijnë mbi tetë shekuj histori. Kjo nuk është një koleksion thjesht shpirtëror. Brenda tyre ruhen dorëshkrime, letra diplomatike, traktate paqeje, gjyqe famëkeqe dhe materiale që ndriçojnë ndikimin e Kishës Katolike në jetën politike, kulturore dhe sociale të Europës.
Dokumentet e para u ruajtën në Pallatin Lateran, më pas në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe Pallatin Palatin. Gjatë zhvendosjes së Papëve në Avignon (1309–1377), shumë dokumente u zhdukën ose u shkatërruan. Vetëm në vitin 1784, Papa Pali V vendosi rikthimin dhe sistemimin e tyre në një qendër të vetme. Sot, që nga viti 1991, pjesa më e madhe e materialeve ruhen në një strukturë nëntokësore 20 metra nën oborrin e Pignës, me ambiente moderne ruajtjeje që përfshijnë rreth 80 kilometra raftesh.
Disa nga dokumentet më domethënëse që ruhen aty përfshijnë:
-Dosja e gjyqit të Giordano Bruno-s më 1600 – filozofi dhe mistiku që u dogj në turrë për herezi. Dosja e tij është dëshmi dramatike e konfliktit mes mendimit të lirë dhe dogmës kishtare.
-Gjyqi i Kalorësve Templarë mes viteve1307-1312 – pergamenat e këtij procesi ndriçojnë ngjarjet që çuan në shuarjen misterioze të një prej urdhrave më të fuqishëm mesjetarë.
-Letra e Mbretëreshës Mary Stuart drejtuar Papës Sixtus V në vitin 1587 – ku ajo kërkon shpëtimin e shpirtit të saj para ekzekutimit.
-Bulla e shkishërimit të Martin Luther-it në 1521 – dokumenti që shënoi ndarjen e madhe të Reformacionit protestant.
-Korrespondenca me Hitlerin dhe Musolinin gjatë Luftës së Dytë Botërore – që dëshmon për dilemat morale të Vatikanit përballë totalitarizmit.

Lexo edhe :  Evropa duhet të qëndrojë pa SHBA, por lufta në Lindjen e Mesme tregon se s'ka asnjë ide

“Sekrete” të kontrolluara
Në vitin 2019, Papa Françesku ndryshoi emërtimin e tyre nga “Archivum Secretum Vaticanum” në “Archivum Apostolicum Vaticanum” për të shmangur keqkuptimet që kishte sjellë fjala “sekret”. Në të vërtetë, arkivat nuk kanë qenë kurrë të hapura për publikun e gjerë. Vetëm studiues me diplomë universitare, të akredituar zyrtarisht, lejohen të kenë akses – dhe kjo në kushte të rrepta, për një numër të kufizuar ditore.
Hapja graduale ka ndodhur kryesisht pas vendimit të Papa Leonit XIII më 1881 për të lejuar qasje të pjesshme deri në dokumentet e vitit 1815. Në vitin 2020, Papa Françesku autorizoi hapjen e dosjeve të vitet 1939–1958, – që lidhen me papatin e Piusit XII, figurë e diskutueshme për heshtjen ndaj Holokaustit – një akt që u interpretua si përpjekje për transparencë. Megjithatë, disa dokumente ende mbeten të rezervuara për Papën dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.

Libri informativ
Libri “The Secret Archives of the Vatican” ose “Arkivat Sekrete të Vatikanit”, shkruar nga Maria Luisa Ambrosini dhe Mary Willis, është një përshkrim informativ, historik dhe gazetaresk i një prej institucioneve më të mistershme të Kishës Katolike. Libri fillon me përshkrimin e aksesit shumë të kufizuar që ofrohet studiuesve dhe mënyrën se si autorja arriti të marrë leje të veçantë për të hyrë në arkiva në vitet ’60. Jepet një panoramë e krijimit dhe zhvillimit të Arkivave nga shekulli i XVII deri në ditët moderne, duke përfshirë Papët që ndihmuan në organizimin dhe ruajtjen e dokumenteve. Aspektet arkivore dhe teknike kanë të bëjnë se si ruhen dokumentet, çfarë metodash përdoren për katalogimin dhe aksesin, si dhe roli i studiuesve në nxjerrjen në dritë të materialeve të panjohura. Ambrosini përshkruan përjetimet e saj personale si grua dhe gazetare që i jepet aksesi në një vend tradicionalisht i mbyllur për jo-klerikët.
Libri është shkruar në stil narrativ e gazetaresk, dhe synon t’i ofrojë lexuesit një përvojë zbuluese, thuajse si një aventurë brenda një bote të mbyllur. Ai është i pasur me përshkrime e ndjenja kurioziteti. Gjithashtu përmban fakte historike dhe analiza politike të kohës.

Realiteti
Ndryshe nga idetë spekulative të romaneve fantastiko-historike, ajo që gjendet në Arkivat e Vatikanit nuk janë mistere që rrëzojnë fenë, por dokumente që dëshmojnë mënyrën se si Kisha është përpjekur, për shekuj, të ruajë dhe kontrollojë të vërtetën përmes shkrimit. Historia që mbajnë këto dokumente është shpesh më njerëzore, më e thjeshtë dhe më dramatike në mënyrën e vet se sa çdo konspiracion imagjinar. Në thelb, arkivat janë një pasqyrë e mendësisë perandorake të Kishës Katolike: një institucion që jo vetëm drejtonte shpirtërisht, por ndikonte fuqimisht edhe në zhvillimet tokësore. Në këtë labirint të kujtesës njerëzore ndodhen jo thjesht “sekrete”, por dëshmi të një historie që shpesh është më ndërlikuar se sa ajo që na mësojnë librat shkollorë – më e sinqertë, më brutale dhe më e vërtetë.

Të fundit

Gara për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit, skualifkohen në fazën e parë 6 kandidatë

Skualifikohen në fazën e parë 6 nga 13 kandidatë për kryetarin e Byrosë Kombëtar të Hetimit (BKH). Ata u skualifikuan...

Debatet për Avokatin e Popullit/ Balla-Opozitës: S’mund të thoni “o këtë o rashë e vdiqa”

Opozita ka kërkuar që në seancën e sotme në Kuvend të jetë në rend dite edhe zgjedhja e Avokatit të Popullit, kërkesë kjo e...

Meta kërkon lirinë/ Apeli i Gjykatës së Posaçme vendos këtë të enjte për kërkesën e tij

Ish-Presidenti Ilir Meta i ka kërkuar sërish lirinë nga qelia, dhe zbutje të masës së sigurisë “arrest në burg”. Apeli i Gjykatës së Posaçme...

Berisha në Kuvend: Pse nuk pranoni kandidatin e opozitës për Avokatin e Popullit!

Opozita ka kërkuar në Kuvend votimin e kandidaturës së propozuar, Besim Ndregjoni, për postin e Avokatit të Popullit. Sali Berisha: Problemi i avokatit të popullit...

Ekskluzive/ Blerta Zhegu: Ja jeta ime artistike në Francë

Intervistë exclusive me sopranon e njohur të skenave ndërkombëtare Intervistoi: Mentor Hoxha, Francë E lindur në Tiranë, Blerta Zhegu nisi studimet në qytetin e saj të...

Lajme të tjera

Web TV