Shansi i madh që humbëm më 11 maj

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Afrim Krasniqi

Votimet mbaruan duke konfirmuar hendekun në sondazhe, – mazhoranca fitoi mandatin e katërt dhe për paradoks, më me shumë mandate sesa të gjitha mandatet e mëparshme. Statistikisht nuk ka surprizë, – PS ka thuajse të njëjtin numër votash si në tri zgjedhjet e mëparshme, duke pasur nivel mobiliteti të strukturës së vet patronazhiste në nivele 95%-98%, por ka rritje të numrit të mandateve për shkak se votat pro PD+LSI kanë rënie të ndjeshme në raport me zgjedhjet e kaluara. Niveli i mobilitetit tek opozita varion midis 55%-60% e pamjaftueshme për të siguruar pjesëmarrjen në votim as të votuesve historikë të saj, dhe natyrisht, e pamundur të fitojë votat e pjesës së pavendosur, jo mbështetëse të qeverisë. Aleanca me LSI (PL) nuk funksionoi, shumica e votave të saj klienteliste u rikthyen në PS ose kaluan në PSD, ndërkohë që votuesit asnjanës zgjodhën partitë e reja.

Natyrisht PS krijoi një sistem patronazhizmi që njëson partinë, shtetin, oligarkinë, informalitetin dhe “të fortët”, praktikë antiligjore që PS e testoi edhe më 2017 dhe 2021. Në çdo rast referues të njëjtë në botën demokratike opozitat kanë pasur sukses kur reformohen, frymëzojnë me ide, hapen ndaj prurjeve cilësore dhe luftojnë me kartat morale, katër cilësi që PD+ i refuzoi me arrogancë.

Zgjedhjet bëhen për të ofruar zgjidhje. 11 maji e humbi këtë shans. Ata që ishin konfirmuan vetveten dhe besnikët. Risitë janë minimale dhe jo vendimmarrëse. Katër herë një parti ka pasur mbi 80 mandate, 1991, 1992, 1996 dhe 1997, vetëm në një rast ato prodhuan reforma dhe progres (1992), kur de facto nuk ishte votë partie, por votë për ndryshim sistemi.

Lexo edhe :  "Më vjen neveri kur shoh deputetët e PD që sillen ashtu për një copë rrogë"

Vazhdimi dihet: mazhoranca do shijojë mbipushtetin e pa shqetësuar, do të kemi dobësim të ndjeshëm të jetës parlamentare, të kontrollit e balancës së pushteteve, të rolit të institucioneve të pavarura dhe natyrisht, rënie të lirë të standardeve të demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës. Opozita? Shih listën e mbyllur të Tiranës dhe e kuptojmë si do jetë, opozita që çdo qeveri do të donte të kishte. Do kemi protesta, kontestime, show, marrëveshje të reja, kulla të reja, por jo dorëheqje dhe as llogaridhënie. Drejtësia do hetojë ca raste fatkeqe të individëve që u detyruan të fotografojnë votën, por jo ata që urdhëruan fotografimin e votës dhe as sistemin korruptiv, i cili, duke cituar opozitën e 2009-2012, “vjedh Shqipërinë për të vjedhur vota dhe më pas vjedh vota për të vjedhur Shqipërinë”. Ata nuk ndryshuan këtë sistem korruptiv, thjesht e perfeksionuan atë.

Kur demokracia devijon, populizmi merr vendime, militantët kontrollojnë pushtetin dhe idetë moderatore refuzohen, është detyrë dhe përgjegjësi e pakicës, – zërave me integritet, të flasin, të veprojnë dhe të reagojnë më shumë, të refuzojnë status quo-n & establishmentin e korruptuar politik dhe të ushqejnë sa munden dije, kulturë e shpresë në vendin ku nga Kalimashi, Q.Murrizit, Elbasani dhe deri në Llogara gjendet e njëjta parullë domethënëse dhe konsensuale “mirë se erdhët në tunel”.

Të fundit

Italia i jep “lamtumirën” Spallettit, Azzurrit marrin pikët e para në kualifikueset

Këtë të hënë u zhvilluan disa nga ndeshjet kualifikuese të Botërorit. Italia mori 3 pikët e para në grup,...

METODA: Si autoritetet italiane mund të zbardhin vrasjen mafioze të 45 viteve më parë

Hetuesit e Prokurorisë së Palermos, në Itali, kanë zgjedhur teknologjitë e reja për të nxjerrë ADN-në nga një gjurmë e gjetur 45 vjet më...

Barcelona godet në merkato, Lewandowski i dytë kushton… zero euro!

Edhe pse Robert Lewandowski mbetet ende një "makineri" golash pavarësisht moshës së tij, te Barcelona po punojnë në fshehtësi dhe me zgjuarsi për të...

2 km nga kufiri me Serbinë, Kurti inaguron stacionin e ri policor në Zveçan

Vetëm dy kilometra larg kufirit me Serbinë, sot është përuruar objekti i ri i Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit në Izvor të Zveçanit. Në...

Kujt i leverdis rinumërimi në Tiranë dhe Fier? Edhe Ramës, edhe Berishës

Pas zgjedhjeve të 11 majit, Shqipëria po hyn sërish në një fazë tensioni elektoral, këtë herë jo përmes kutive të votimit, por përmes rinumërimit...

Lajme të tjera

Web TV