Pas Samitit të Komunitetit Politik Evropian, Emmanuel Macron qëndroi në kuadër të vizitës zyrtare që do të zhvillojë sot, më 17 maj, në Shqipëri. Kjo është vizita e tij e dytë zyrtare në pak kohë në vendin tonë, por e para e shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Brigitte.
Në orën 08:45, do të mbajë një takim me kryeministrin Edi Rama në kryeministri. Më pas, në orën 09:30, do të nënshkruhen disa marrëveshje në fushën e mbrojtjes, turizmit dhe prodhimit të energjisë. Vizita zyrtare e Macron do të vijojë me një deklaratë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, e cila është parashikuar në orën 10:00-10:15. Të dy udhëheqësit do të flasin edhe në forumin ndërkombëtar “Iniciativa e Investimeve të së Ardhmes”, ku do të jetë i pranishëm edhe dhëndri i Trump, Jared Kushner si dhe ish-kryeministri italian Matteo Renzi.
Një ditë më parë, pas samitit, presidenti francez inauguroi me kryeministrin shkollën prestigjoze franceze të kodimit “Ecole 42”, e dedikuar drejt botës së teknologjisë. Rama dhe Macron biseduan me të rinjtë që gjendeshin në mjediset e reja të dedikuara, të cilët sollën eksperiencat e tyre personale të adoptimit me sukses në fushën digjitale. Në fund u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit Shqipëri-Francë për inovacionin nga dy ministrat përfaqësues për inovacionin.
Në fushën e mbrojtjes ministri francez Sébastien Lecornu firmosi me ministrin Piro Vengu marrëveshjen teknike për blerjen e sistemit të vëzhgimit ajror nga një kontraktor industrial francez. Një mbështetje për Forcat Ajrore shqiptare në rritjen e kapaciteteve të avancuara mobile. Në nder të mysafirëve francezë kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij Linda shtruan një darkë zyrtare në pallatin e Brigadave. /e.s