Babi i Beatriçe Gjergji rrëfenë se para se të ngjitej në skenën madhështore të Eurovizionit, muzika ishte tashmë pjesë e pandashme e jetës së saj një trashëgimi që, “është përcjellë nga brezi në brez, si një pasuri shpirtërore”.
I ftuar së fundmi në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon, babai i saj foli me emocion për rrugëtimin e vajzës së tij. Ai kujton se talenti i saj për të kompozuar ishte i dukshëm që në fëmijëri.
“E rritur me këngë shkodrane, ia injektoja sa më shumë, por nuk i pëlqente shumë muzika jonë… Kishte një zë të bukur, por më dukej sikur po më dilte ‘nga shinat’,” tha ai me sinqeritet.
Sot, Beatriçe jo vetëm që është kthyer në identitetin e saj muzikor por përfaqëson shqipërinë me një nga skenat më të mëdha të muzikës ndërkombëtare. Ai theksoi se njohja e saj me Kolën ka qenë një pikë kthesë në karrierën e saj.
“Muzika është në gjak tek ne,” thotë Mario me krenari. “Në familjen Gjergji këndojnë të gjithë… thoshin dikur me shaka: tek ata këndojnë edhe pulat. Ne hamë bukë me muzikë.”