Procesi i numërimit të votave të Diasporës vijon, me theks të veçantë te ato të ardhura nga Greqia. Deri më tani, Partia Socialiste ka fituar një avantazh të konsiderueshëm ndaj Partisë Demokratike, me mbi 47 mijë vota më shumë nga jashtë vendit.
Në qarkun e Lezhës, votat e ardhura nga Greqia kanë ngushtuar ndjeshëm diferencën mes PD-së, e cila aktualisht mban 4 mandate, dhe PS-së me 3 mandate. Kjo ka shtyrë Partinë Demokratike të kërkojë rinumërimin e votave, duke shprehur kundërshtime për rezultatin e shpallur.
Ndërkohë, Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” renditet në vendin e tretë, ndërsa subjektet e tjera politike kanë marrë përqindje dukshëm më të ulëta.
Deri më tani janë numëruar 162,788 zarfe nga gjithsej 195,007 që pritet të përpunohen. Numërimi i votave nga Greqia nisi në mëngjesin e së shtunës, pas vendimit të kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, pasi procesi kishte mbetur i pezulluar që nga e diela për shkak të pretendimeve të PD-së për manipulime.
Pavarësisht se PD ka komisionerë që ndjekin nga afër procesin, partia ka deklaruar se do të kontestojë votat nga Greqia dhe do të kërkojë që ato të mos përfshihen në rezultatin përfundimtar./E.T