Një protestë kundër vullnetit popullor

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Protesta e 16 majit e organizuar nga berishizmi në mbrojtje të votës së lirë nuk ishte kundër qeverisë Rama apo pushtetit socialist. Pavarësisht se në atë miting u lëshuan shumë akuza, që për ti ditur nuk ka nevojë ti dëgjosh, protesta as nuk e zbeh dhe as nuk e trondit pushtetin e Ramës.

Aq më pak dëmtoi suksesin e samitit evropian në Tiranë. Fakti që një forcë opozitare proteston lirshëm dhe paqësisht është PR pozitiv për demokracinë shqiptare, ku kushdo është i lirë të thotë çfarë të dojë dhe të mbledhë kë të dojë dhe ku të dojë.

Denoncimi i vjedhjes së zgjedhjeve nga një opozitë që ka rënë me një çerek milion votash në një vend ku banojnë rreth dy milion e gjysëm banorë vështirë se mund të merret seriozisht si provë e diktaturës. Ndaj protesta vërteton ekzistencën e lirisë politike më shumë se vjedhjen apo manipulimin e votës.

Në këtë aspekt protesta i bëri një shërbim shumë të mirë propagandës rilindase dhe samitit të saj evropian. Është shërbimi i rradhës që berishizmi i bën Ramës, duke e portretizuar pushtetin e tij si një demokraci që toleron dhe respekton opozitën, në proporcion me broçkullat që ajo artikulon.

Protesta e berishizmit nuk kishte të bënte as me votën e lirë opozitare, të paktën për dy arësye. Së pari, denoncimet e përdorimit të administratës, të krimit apo të blerjes së votës nuk shpjegojnë firimin e çerek milion votash. Përndryshe si shpjegohet që opozita merrte më shumë vota dje, kur përdorimi i administratës, i blerjes së votës dhe i krimit ishte shumë më prezent se sot?

Së dyti, burimi kryesor i deformimit të vullnetiti popullor në zgjedhjet e fundit nuk ishte krimi apo blerja e votës por sistemi elektoral. Manipulimi i madh ishte penalizimi i partive të vogla me rreth 10 vende në parlament. Kjo prodhoi fryrjen parlamentare të PS-së, me gati 10 mandate, duke e çuar në shumicën e frikshme prej 83 mandatesh.

Është një sistem që votën e protestës kundër bipolaritetit PS-PD ia kalon partisë në pushtet. Është shumë më efektiv se bandat, krimi apo blerja e votës. Imagjinoni sa banda, krim dhe blerje votash duhen për të siguruar 10 mandate në Kuvend.

E megjithatë në morinë e akuzave të berishizmit nuk pati asnjë denoncim të sistemit tonë elektoral që deformon haptas vullnetin popullor. Kjo për faktin e thjeshtë se protesta nuk ishte në mbrojtje të vullnetit popullor. Përkundrazi ajo ishte një refuzim publik i verdiktit elektoral që u shpreh mjaft qartë në zgjedhje.

Lexo edhe :  "Para se të dorëzonte pushtetin në 2013, Berisha e zhduku dosjen Partizani"

Asnjë palë zgjedhje, me përjashtim të vitit 1992, nuk ka prodhuar një verdikt më të qartë se ai i zgjedhjeve të 11 majit, 2025. Elektorati i dha një notë kaluese qeverisë Rama dhe një notë mbetëse opozitës berishiste. Dhe nota mbetëse e opozitë ishte shumë më qartë se nota kaluese e qeverisë, për faktin e thjeshtë se rënia elektorale e koalicionit të PD-së ishte shumë më e madhe se rritja elektorale e PS-së.

Pikërisht kundër këtij verdikti proteston berishizmi sot duke refuzuar notën mbetëse që i vuri elektorati shqiptar. Nuk është refuzim i fitores së Ramës sepse ajo pritej. Askush, në të majtë apo në të djathtë, nuk kishte iluzione të një fitore elektorale të berishizmit. Basti elektoral i këtij projekti politik ishte mbajtja, forcimi ose zmadhimi i votës opozitare, jo ardhja në pushtet.

Pikërisht për këtë arësye berishizmi sot refuzon humbjen e tij elektorale dhe jo fitoren e Ramës. Berishizmi sot nuk pranon faktin që ra me çerek milionë votash në raport me zgjedhjet e kaluara dhe për këtë tregon me gisht, si gjithnjë, Edi Ramën.

Ama firimi i votës opozitare nuk ka të bëjë me bandat, administratën apo gjobat e Ramës. Të gjitha këto janë mjete që Rama i përdor për të ruajtur votën socialiste, por ato vlejnë pak ose aspak për të hequr qafe një çerek milion vota opozitare.

Këtë e kanë të qartë edhe berishistët që tashmë kanë filluar sulmin ndaj popullit shqiptar. E akuzojnë si të manipuluar, të nënshtruar, të blerë, të shitur, pa moral politik dhe pa kulturë demokratike, sepse refuzon moralin politik, lirinë dhe demokracinë që ofron dyshja Berisha-Meta, bashkë me Flamur Nokën.

Ndaj berishizmi sot nuk është në opozitë me Ramën apo me Partinë Socialiste. Përkundrazi ai prej kohësh është paterica politike dhe elektorale që e konsolidon këtë pushtet, ndër të tjera edhe duke argumentuar se është i pathyeshëm.

Berishizmi sot është në opozitë me verdiktin e elektoratit. Mbetet për tu parë se si do ti fitojë zgjedhjet e ardhëshme, në vitin 2029, tashmë që si strategji elektorale ka shpallur denoncimin e vullnetit popullor.

(Artikull i Blendi Kajsiut, shkruar enkas për Lapsi.al)

Të fundit

Admirali i SHBA: Vuçiç është bandit, do të pushtojë Kosovën

Amerika po njeh fytyrën e vërtetë të Serbisë dhe presidentit të saj. Në një seancë dëgjimore në Kongresin e...

“Saliu e nxiu Shqipërinë në Bruksel si agjent serb”

Sali Berisha nxiu Shqipërinë në Bruksel më keq edhe se çfarë bëjnë serbët ndaj shqiptarëve. Ai erdhi në pushtet prej tyre dhe po ikën...

I paparashikueshëm! Trump ndalon hyrjen në SHBA për shtetasit nga 12 vende

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ndaluar hyrjen në SHBA për qytetarët e dymbëdhjetë vendeve. Duke nënshkruar ndalimet e udhëtimit, presidenti po mbron qytetarët...

Duka jep lajmin: Stadiumi Kombëtar do quhet sërish “Air Albania” për 5 vitet e ardhshme

Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur marrëveshjen e re për të drejtat e emërtimit të Stadiumit Kombëtar në Tiranë. Për pesë vitet e ardhshme,...

“Më vjen neveri kur shoh deputetët e PD që sillen ashtu për një copë rrogë”

Deputeti i Kuvendit Dashnor Sula foli sot në “Breaking” pas seancës parlamentare, duke kritikuar kolegët e tij të Partisë Demokratike. Sula tha se u ndje...

Lajme të tjera

Web TV