Raphinha nuk është i kënaqur me ofertën fillestare të Barcelonës për rinovimin e kontratës, raporton gazeta katalanase “Sport”. Klubi Blaugrana kishte propozuar vetëm një zgjatje njëvjeçare të marrëveshjes aktuale.
Braziliani e konsideron këtë ofertë të pamjaftueshme, duke marrë parasysh paraqitjet e tij fantastike gjatë këtij sezoni. Ai beson se ka merituar më shumë, sidomos në raport me interesimin që ka marrë nga klubet në Arabinë Saudite.
Raphinha i ka kërkuar Barcelonës që ta zgjatë kontratën e tij për dy vite dhe këtë pa kushte shtesë.
Kontrata aktuale e tij përfundon në verën e vitit 2027. Me kërkesën e tij, ai do të qëndronte te Barcelona deri në verën e vitit 2029.
Fillimisht, Barça ofroi që marrëveshja të zgjatej vetëm deri në 2028, por kjo nuk u pranua nga lojtari.
Gjithnjë sipas gazetës “Sport”, duket se klubi ka ndryshuar qëndrim dhe është i gatshëm të plotësojë kërkesat e Raphinhas, me një kontratë dyvjeçare dhe një rritje të pagës.
Marrëveshja e re pritet të finalizohet së shpejti, duke i siguruar Barcelonës qëndrimin afatgjatë të njërit prej lojtarëve më të rëndësishëm në repartin ofensiv./ D.C