Koalicioni ku bën pjesë si drejtues, Nisma Shqipëria Bëhet, prodhoi vetëm një mandat deputeti në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, por për Endri Shabanin rëndësi ka fakti se 10% e shqiptarëve votuan partitë e reja, duke qenë përtej PS dhe PD, përtej Ramës dhe Berishës.
I ftuar në “Frontline”, ai u shpreh se klasa politike së shpejti nën këtë frymë do të ndryshohet, teksa nënvizoi se ai nuk lufton për një rrogë deputeti, por për të ardhmen e vendit.
Konfliktet e brendshme brenda partive të reja, dështimi për t’u bashkuar në një front dhe sistemi elektoral në disfavor, ndikuan edhe në rezultatin përfundimtar.
“Nuk ia kemi dalë për rotacionin. Unë besoja se do e realizonim, por nuk qe e mundur. Disa gjëra janë arritur për të kundërshtuar sistemin, edhe pse u dërgua deri në Kushtetuese, por fatkeqësisht u prodhua ky realitet që kemi tani. Pra ndarja me zona zgjedhore dhe çifligje, nuk ka justifikim politik dhe ekonomik, por deformon edhe përfaqësimin.
65 mijë shqiptarë u përfaqësuan me një mandat, kurse në krahun tjetër u morën shumë mandate nga socialistët për të njëjtin numër votash sa ne. Ca shqiptarë të nënës, e ca të njerkës. Rama nuk përfaqëson shumicën e Shqipërisë.
Sot ka më pak edhe se më 2021. Në 35 vite kemi 2 parti që kanë dalë nga partia e Punës. Ka pasur fraksione si i Metës, por vetëm tani është thyer një mit. Forcat e reja bashkarisht kanë marrë 10% e votuesve, që votuan përtej Ramës dhe Berishës”, tha Shabani.
Por a do e marrë Shabani mandatin e deputetit të Nismës, nëse Lapaj mban premtimin që dha gjatë fushatës, se nëse do merrnin vetëm një mandat nuk do shkonte në Parlament?
“Asnjë nga ne nuk mori vota mjaftueshëm për të prodhuar një mandat, por të gjithë së bashku prodhuam një mandat. Ai nuk është mandat individual, por i koalicionit. Ne jemi angazhuar për djegien e listave të mbyllura, të gjithë depozituan dorëheqjen, duke mbajtur zotimin. Angazhimi i dytë ishte garimi në listë të hapur. Më i votuari është Adriatik Lapaj. Ai është angazhim i Adriatikut dhe duhet të pyesni atë që ta shpjegojë.
Angazhimi jonë është se atij i takon sepse ka marrë më shumë vota se unë. Nëse unë do merrja një votë më shumë nga Adriatiku, do isha unë në Parlament. Nuk i kam hyrë politikës, as unë dhe as Adriatiku e të tjerët, për një rrogë 3 mijë euro të Parlamentit. Çështja është a i japim ne prespektivë rinisë shqiptare. Vendimi është i Adriatikut, nuk e di vendimin që ka marrë. Jemi takuar vazhdimisht, normale”, u shpreh ai për Report Tv.
Për Berishën shprehet se edhe 50 mandate i ka marrë më shumë nga çfarë meritonte, pasi duhet të largohet sa më parë nga politika, për t’i dhënë të ardhme vendit dhe partisë.
“83 mandatet e Ramës janë fatkeqësi jo vetëm për vendin, por edhe për PS-në. Berisha me 50 mandate është më shumë se çfarë meriton. Ai duhet të largohet nga politika, ai duhet t’i japë të ardhme politikës, vendit dhe vetë partisë”, nënvizoi Shabani.
Po përse nuk u bashkuan dot partitë e reja, cilat faktorë ndikuan dhe cilat janë projektet politike të koalicionit për të ardhmen.
“Do doja të ishim në një front, sepse do të kishim më shumë mandate, zëra, vesh dhe njerëz në tavolinën e Parlamentit. Nuk u bëmë bashkë jo për fajin tonë, por punuam që t’ia arrinim deri në fund. Konflikti i Lapajt me Shehajn duhet të ishte shmangur, sepse i ka dëmtuar të gjithë. Ka dëmtuar edhe vetë Agron Shehajn, por nuk duhet të kishte ndodhur. Pati probleme gjatë numërimit, por kishte edhe keqkuptime gjatë procesit. Ne patëm dy raste dhe rezultoi se procesverbali i numëruesve ishte i saktë.“/e.t