Kreu i PD-se, Sali Berisha deklaroi sot se në fshatin Pekisht të Elbasanit, në një bar-kafe në pronësi të kryeplakut Dervish Beqiri, janë gjetur materiale zgjedhore dhe shuma të konsiderueshme parash të dyshuara si “narkoeuro”.
Sipas Berishës, informacioni i është përcjellë mbrëmjen e djeshme deputetit të ardhshëm të Elbasanit, Blendi Himci, i cili sot në mëngjes ka shkuar në ambientet e lokalit dhe ka gjetur aty fletë votimi, lista votuesish dhe materiale të tjera zgjedhore, në një vend të dyshuar si pjesë e asaj që Berisha e quajti “treni bullgar”.
“Treni bullgar mbeti në stacionin e Pekishtit. Doli nga shinat dhe mbeti aty,” u shpreh Berisha, duke iu referuar një praktike të njohur për manipulimin e votave, të lidhur me patronazhistët e Partisë Socialiste sipas tij.
Berisha theksoi se ngjarja është e ngjashme me raste të tjera të denoncuara më herët në zona si Kashari dhe Astriti, ku sipas tij, funksiononin “qendra alternative votimi” të ngritura paralelisht me qendrat zyrtare./e.s