Gazetarja Klodiana Lala teksa po fliste për operacionin ndërkombëtar “Ura” ka zbuluar sipas saj, tre figurat qëndrore të bandës së Durrësit.
E ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Lala u shpreh se grupi kryesor me bazë në Durrës është grupi i Xhevdet Troplinit, i njohur ndryshe me nofkën ‘Poja’.
“Grupi kryesor me bazë në Durrës që është grupi i Xhevdet Troplinit, i njohur ndryshe me nofkën ‘Poja’ është i përfshirë kryesisht në aktivitetin e trafikimit të lëndëve narkotike, fillimisht heroinë sepse në 2005 është arrestuar për heroinë dhe më pas, pasi kreu dënimin është liruar dhe nuk është arrestuar më që nga ajo kohë. Të paktën në dhjetë vitet e fundit dyshohen për trafikimin e tonelatave të kokainës”, tha Lala.
Sipas Lalës tre figurat kryesore të kësaj bande janë Elvis Doçi, i njohur si Visi i Pojës, Indrit Tafilaj, nipi tjetër i Xhevdet Troplinit, si dhe Erind Lasku, i cili është i martuar me mbesën e Troplinit.
“Kush janë personazhet kryesor në grupin e Durrësit. Bëhet fjalë për Elvis Doçin, i njohur si Visi i Pojës, i cili e shoh në dosjen hetimore si figura qëndrore, pra grosisti kryesor. Jeton në Durrës. Në oborrin e një prej banesave të tij është gjetur shuma prej tre milionë Euro cash, vitin e kaluar. Është gjetur e groposur. Është fakt ai dhe e kemi thënë këtu në emisionin tuaj.
Personazhi tjetër është nipi tjetër i Xhevdet Troplinit, Indrit Tafilaj, i cili po ashtu është një personazh kryesor i panjohur për publikun. Unë e kam hasur në disa dosje të tjera shkarazi, jo në mënyrë direkte dhe ai rezulton si një figurë qëndrore dhe personi i tretë që edhe ky është i lidhur me pjesën e trafikut të drogës, pra dyshohet për të gjithë furnizimin e nëngrupeve të tjera siç i quan prokuroria kryesisht në Itali, por edhe në vende te tjera si Gjermani, Holandë e tjerë, ndërkohë furnizimi bëhej nga Ekuadori.
Erind Lasku që është i martuar me mbesën e Xhevdet Troplinit, ai rezultonte personazhi kyç që bashkëpunonte me të gjithë shoqëritë e transportit të udhëtarëve dhe vinin 100 milion Lekë në javë nga Italia përmes shoqërive të transportit”, thekson gazetarja.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit “Ura”, janë lëshuar 52 urdhër-arreste në Shqipëri e Itali, prej të cilave 40 janë ekzekutuar. “Ura” u finalizua në orët e para të kësaj të mërkure, si rezultat i një hetimi të zhvilluar me skuadër të përbashkët hetimore mes SPAK dhe prokurorisë italiane. 21 prej masave të sigurisë u lëshuan në Shqipëri./e.s