Nga Leonard Veizi
Në labirintin e krijimtarisë së tij mund të humbasësh lehtë. Sepse është një galeri e tërë titujsh dhe ngjarjesh, dhe për më tepër, një pafundësi personazhesh të gdhendura me kujdes, përkushtim dhe dashuri. Po aq sa mbahet mend Meçoja që u vra në majë të kambanores së kishës, po aq kujtohen edhe pesë djemtë që u vranë në Vig. Sa mbahet mend Mësuesi i Kalcës, po aq mbahet mend dhe frat Engjëlli apo Kalosh Cami. Sa mbahet mend Visar Shundo aq mbahet mend edhe Kanani, bashkë me Rremën e Shabanin. Dhe ndoshta si qershia mbi tortë, ndër të gjitha figurat e krijuara prej tij, ajo që mbetet më e pashlyer në kujtesë është Ollga e Stefanit, apo teto Ollga, zonja që u kthye në shoqe.
Dhe ky ishte Piro Milkani.
Themi “ishte”, por vetëm në kuptimin fizik. Sepse ai mbetet.
Ai nisi rrugëtimin e tij regjisorial më 1967 me filmin “Ngadhnjim mbi vdekjen” – një vepër që fliste me gjuhën e dhimbjes, rezistencës dhe triumfit. Ishte një film me temë shqiptare, por rezonanca e tij kaloi përtej kufijve të Shqipërisë. Në Kinë, u përjetua si një ngjarje e madhe artistike – një fenomen që e bëri emrin e tij të njohur ndërkombëtarisht në një kohë kur kjo ishte pothuajse e pamundur për një regjisor shqiptar.
Ishte kjo vetëm porta hyrëse e një karriere të pasur dhe të ndritur. Pasuan “Përse bien këto daulle”, “Kur zbardhi një ditë”, “Shtigje lufte”, “Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti” – tashmë një klasik që mbetet në kujtesën e çdo brezi – pastaj “Militanti”, “Besa e kuqe”, “Ngjyrat e moshës”, “Pranvera nuk erdhi vetëm”, “Në kufi të dy legjendave”, “Shembja e idhujve”, “Eja”… Dhe, si për të vënë një pikë të thellë ndjeshmërie në fundin e krijimtarisë së tij regjisoriale, në vitin 1994 solli “Trishtimi i zonjës Shnajder”, një film që pasqyronte më mirë se çdo tjetër maturimin e një artisti që kishte jetuar me kinemanë dhe për kinemanë.
Por vepra e tij nuk mbaron me filmat që ai vetë drejtoi. Ai ishte bashkautor dhe bashkëpunëtor në disa prej filmave më përfaqësues të ekranit shqiptar, si “Ballë për ballë”, me Kujtim Çashkun, dhe kontribuoi si këshilltar në filmin italian “Lamerica” të Gianni Amelio-s – ku përvoja e tij u bë një busull artistike për një tjetër kulturë.
Në një mënyrë ose tjetër, ai i preku thuajse të gjitha zhanret që zhvilloheshin në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Një studio me kufizime të njohura ideologjike, por që gjithsesi bëri të mundur lindjen e një kinemaje që do të formësonte identitetin vizual të një kombi. Në këtë realitet, Milkani u bë një figurë kyçe.
Karriera e tij përfshin mbi 20 filma artistikë dhe dokumentarë. Ishte njëkohësisht regjisor, skenarist, operator, producent – gjithnjë një punëtor i heshtur dhe vizionar, që nuk i dha asnjëherë rëndësi protagonizmit personal, por e kërkoi gjithmonë përmasën e thellë të njeriut në vepër.
Piro Milkani, kjo figurë emblemë e kinematografisë shqiptare, u nda nga jeta të dielën e 24 majit 2025, në moshën 86-vjeçare. Por ai nuk iku – thjesht kaloi në një dimension tjetër, ku drita e projektorit mbetet gjithmonë ndezur.
Në jetëshkrimin zyrtar thuhet se u lind më 9 dhjetor 1939 në Korçë – një vatër e kulturës shqiptare. Më pas, pas përfundimit të shkollës së mesme, ndoqi Akademinë e Arteve të Bukura në Pragë, ku u diplomua në degën e operatorit – një profesion që kërkon sy të ndjeshëm dhe zemër të hapur.
Në vitin 1987 iu dha titulli “Artist i Popullit”, një nderim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin filmik. Ndërsa më 1997, në Euro-Festivalin e Saint-Étienne, Francë, ai u vlerësua me “Çmimin e Veçantë” për gjithë krijimtarinë e tij.
Në vitin 2024, vetëm një vit para ndarjes nga jeta, ai do të jetonte një moment prekës: dorëzimin zyrtar të diplomës së Fakultetit të Filmit në Pragë, pas 63 vitesh. Ishte një ceremoni simbolike dhe e vonuar, por që nderonte përvujtërinë e tij të natyrshme. Ai vetë e quajti “aktin e fundit të jetës sime” – një kapitull që u mbyll me dinjitet, si çdo vepër që mbante firmën e tij.
Piro Milkani do të mbahet mend për filmat që solli, por më shumë akoma për dashurinë me të cilën rrëfeu njerëzit, vendin dhe kohën. Ishte nga ata artistë që nuk largohen – ata mbeten aty ku ndjenjat ngjizen në imazh dhe historia merr frymë në dritë.