Shpëtim Luku
Në një ekonomi të vogël dhe të brishtë si ajo e Shqipërisë, qytetarët që zgjedhin të kursejnë për të ardhmen janë përballur vitet e fundit me një sfidë paradoksale: sa më shumë kursejnë, aq më shumë humbin. Një situatë që i vë në pikëpyetje jo vetëm zakonet financiare, por edhe vetë logjikën themelore të menaxhimit të buxhetit personal dhe familjar.
Prej dekadash, rregulli i artë i ekonomisë familjare ka qenë: mos shpenzo më shumë sesa fiton dhe kurse për të nesërmen. Por çfarë ndodh kur kursimet e tua zhvlerësohen ditë pas dite? Kur inflacioni të kafshon vlerën reale të parasë dhe kur monedha e huaj, ku ndoshta ke ruajtur kursimet, bie ndjeshëm përballë lekut?
Rënia e euros, dyfishim i rrezikut
Nëse në vitin 2021 një euro vlente rreth 123 lekë, sot është ulur ndjeshëm, duke luhatur shpesh edhe nën nivelin e 100 lekëve. Qytetarët që kanë kursyer në euro, tradicionalisht për stabilitetin që ofron kjo valutë, janë zgjuar në një realitet ku çdo 1,000 euro të depozituara “vlejnë” shumë më pak në terma realë në tregun vendas. Rënia e euros nuk është thjesht një çështje valutore: ajo përfaqëson një goditje të drejtpërdrejtë ndaj besimit të kursimtarit.
Inflacioni, armiku i padukshëm
Nga ana tjetër, inflacioni, i cili shpesh zyrtarisht raportohet në nivele të kontrolluara, nuk reflekton gjithmonë realitetin e rritjes së çmimeve që përballen familjet në treg. Ushqimet, energjia, shërbimet dhe qiratë janë rritur ndjeshëm. Edhe nëse kursimet qëndrojnë në banka dhe gjenerojnë një normë minimale interesi, kjo nuk mjafton për të ruajtur fuqinë blerëse të parasë. Në fakt, qytetarët që mbajnë para “nën dyshek” apo në depozita pa interes real, po shohin vlerën e tyre të avullojë vit pas viti.
Tregu jofunksional i kapitaleve si mungesë alternativave investuese
Në shumë vende të zhvilluara apo edhe rajonale, kursimtarët kanë akses në instrumente financiare të ndryshme: bono thesari afatshkurtra dhe afatgjata, obligacione korporatash, fonde investimi, aksione në bursë, apo forma të tjera investimi që diversifikojnë rrezikun dhe rrisin mundësinë e kthimit. Në Shqipëri, mungesa e një tregu funksional kapitalesh, e një burse të gjallë dhe e një kulture të ndërmjetësimit financiar e lë qytetarin thuajse të pambrojtur. I vetmi investim për të mbrojtur kursimet e tij janë pronat e patundshme, por këtë mund t’a bëjnë vetëm ata që kanë shuma të mëdha parash.
Me pak fjalë: kursimet e qytetarëve të zakonshëm janë të ekspozuara ndaj zhvlerësimit pa asnjë “strehë sigurie”.
Sot, kursimtari shqiptar është më i ekspozuar se kurrë: midis inflacionit, zhvlerësimit të valutës dhe mungesës së alternativave. Drama e tij është heshtur gjatë, por nëse nuk trajtohet me politika të mençura dhe afatgjata, do të kthehet në një krize besimi që dëmton jo vetëm individin, por gjithë sistemin financiar të vendit.