Në skenën politike shqiptare ka nisur të ndjehet një tension i ri. Myslim Murrizi ka deklaruar se në shtator e sheh veten në parlament bashkë me Ilir Alimehmetin, sepse pret arrestimin e “dy-tre” deputetëve demokratë.
Deklarata e tij ishte e guximshme. Ndoshta ka të drejtë, sepse vuri një bast të fortë publik. “Fjala.al” po hamendëson se kush janë opozitarët e listës së “Aleancës Madhështore” të qarkut Tiranë të cilët rrezikojnë të mos e marrin mandatin e deputetit.
Bazuar te lajmet e mediave në dy vitet e fundit, “problematikët” e opozitës janë katër: Sali Berisha, Flamur Noka, Fatmir Mediu dhe Belind Këlliçi.
Flamur Noka, një nga figurat më të zëshme të PD, është përmendur në disa media si objekt hetimi për çështje të lidhura me abuzim me detyrën gjatë kohës kur mbante poste qeveritare. Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, është prej vitesh subjekt i një dosjeje të hapur për tragjedinë e Gërdecit, për të cilën SPAK ka nisur lëvizje për rihapjen e procedurave gjyqësore. Nëse akuzat konfirmohen dhe kalojnë në fazë tjetër, mund të shohim lëvizje konkrete për pezullim mandati.
Belind Këlliçi është përmendur së fundmi në hetime që lidhen me financimet gjatë fushatave elektorale. Thuhet se SPAK po shqyrton burimet dhe përdorimin e fondeve nga strukturat partiake të drejtuara prej tij. Ndërkohë, më i rëndësishmi në PD që prej vitit 1991, Sali Berisha, ndodhet në një proces të hapur gjyqësor për aferën “Partizani” dhe po përballet me masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Nëse SPAK finalizon hetimet dhe ngre akuza penale të formës së prerë, për çdo deputet që gjykata vendos “arrest në burg” ose “pezullim nga detyra”, Kuvendi është i detyruar të shqyrtojë kërkesën për heqjen e imunitetit. Në rast të miratimit, mandati i deputetit mund të përfundojë para kohe. Ky zhvillim do të përbënte një precedent të fortë në luftën ndaj pandëshkueshmërisë në politikën shqiptare. m.p.