Komisionerja për zgjerimin e BE-së, Marta Kos thotë se Shqipëria ka mundësi reale që të anëtarësohet deri në vitin 2030. Në një intervistë për televizionin gjerman WELT, ajo foli për procesin e zgjerimit të BE, ndërsa përmendi Shqipërinë dhe Malin e Zi si dy vendet që po ecin shumë mirë me reformat e integrimit.
“Mund ta kuptoj shumë mirë zhgënjimin në Ballkanin Perëndimor. Unë vij nga kjo zonë. Po ju paraqes një krahasim. Nëse Ukraina do të duhej të priste aq gjatë sa Maqedonia e Veriut, ne do të fillonim negociatat me Ukrainën në vitin 2045. Dhe kjo nuk mund të ndodhë. Kjo vlen edhe për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ne kemi Malin e Zi dhe Shqipërinë, që po ecin shumë mirë me reformat e integrimit. Ata e kuptojnë procesin e zgjerimit si një transformim të ekonomisë së tyre, duke përfshirë edhe fusha të tjera të jetës. Nëse gjërat vazhdojnë të shkojnë mirë, ne mund të përfundojmë të gjithë kapitujt e negociatave me Malin e Zi deri në fund të vitit 2026 dhe më pas me Shqipërinë në fund të vitit 2027. Kjo do të thotë se ka mundësi reale që të dyja këto shtete të bëhen anëtarët tanë të rinj deri në vitin 2030”, shprehet Komisionerja për zgjerimin e BE-së Marta Kos.
Komisionerja vlerësoi propozimin gjermano-slloven për heqjen e unanimitetit për vendimmarrjen në pranimin në union të vendeve të reja.
Komisionerja foli gjithashtu edhe për integrimin e Ukrainës, teksa u shpreh se po punojnë dhe se ky vend, që është në luftë, po jep rezultate. Sipas saj, klasterat mund t’i hapin këtë vit. Pyetur për një afat kohor për Ukrainën, ajo tha se varet nga kushtet dhe sesa shpejt do t’i realizojë Ukraina reformat e kërkuara.
“Nuk e dimë ende. Kjo varet nga shumë kushte. Varet gjithashtu se sa shpejt Ukraina do t’i zbatojë reformat. Ukraina është një vend i madh. Në të njëjtën kohë, sigurisht, do të duhet të marrim parasysh edhe interesat e shteteve anëtare. Dhe kjo mund të ndodhë shumë shpejt. Por së pari, ne shpresojmë vërtet që paqja të vijë shpejt, në mënyrë që të paktën kjo barrë e madhe që aktualisht bie mbi Ukrainën të hiqet. Dhe pastaj ne mund të përqendrohemi plotësisht në negociata dhe në siguri.”, u shpreh ajo./E.T