Në sallën “Libri Enciklopedik”, pranë Akademisë së Shkencave nga ora 10:00 do të mbahen homazhet për studiuesin dhe historianin e njohur Artan Lame i cili u nda nga jeta më 23 maj pas problemeve shëndetësore të vazhdueshme me zemrën.
Pas homazheve, në orën 12:00, Lame do të përcillet për në banesën e fundit në varrezat e Sharrës.
Artan Lame ka mbajtur detyra të rëndësishme, ku spikati si një drejtues i përkushtuar dhe me vizion. Në vitin 2000 ishte drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, më tej deri në 2002-shin, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Për 3 vite të tjera, zëvendësministër i Territorit dhe Turizmit.
Nga 2013-a, për 6 vite drejtoi Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale (ALUIZNI). E përmbylli angazhimi publik me detyra shtetërore, si Drejtor i Përgjithshëm Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Publicist dhe opinionist, pasioni i tij i rrallë ishte historia. Renditet një ndër koleksionistët më të mirë të vendit, veprimtar i angazhuar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të vendit. Artan Lame ka qenë kandidat për deputet i PS-së në zgjedhjet parlamentare 2005,2009,2013.
Ai kontribuoi gjithashtu në hartimin e programit të PS-së në periudhën 2011–2013. Në vitin 2012, Presidenti i Republikës e dekoroi me “Medaljen e Mirënjohjes” për kontributin e tij në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë./e.t